Lajme

ORCA i kërkon Haradinajt t’i mbaj duart larg nga Akreditimi

Autori: Gazeta inFokus 19:37 | 15 July 2019

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim, ka reaguar pas postimit të kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili e quajti të papranueshëm vendimi e Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mosakreditimin e tri Universiteteve Publike, derisa kërkoi masa të menjëhershme.

ORCA përmes një kumtese për media, është shprehur e shqetësuar, me siç thonë ata, nivelin e ulët të informimit të Kryeministrit dhe zyrës së tij lidhur me çështjen e mosakreditimit institucional të universiteteve publike të Prizrenit, Pejës dhe Mitrovicës.

Sipas tyre, mosakreditimi institucional do të thotë pamundësim i regjistrimit të studentëve vetëm për këtë vit, ndërkohë që këto institucione do të vazhdojnë të punojnë normalisht madje duke u përgatitur për aplikim për akreditim sërish vitin e ardhshëm.

Ata thonë se, si kryeministër i vendit Haradinaj në vitin 2018 ia ka dhuruar Kosovës përjashtimin nga EQAR dhe degradimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditimin në Asociancionin Europian ENQA, nga “anëtar” në “anëtar nën vëzhgim”.

Sipas tyre, kjo ka ndodhur si pasojë e shkarkimit të bordit të kaluar të Agjencisë.

“Si rrjedhojë, Agjencia e Kosovës për Akreditim në shtator të këtij vitit do ta marrë vendimin përfundimtar për vazhdim apo jo të anëtarësisë në ENQA. Ndërhyrja e sotme nga Kryeministri, e dyta me radhë, qoftë edhe si deklaratë, tashmë e rrezikon Agjencinë për përjashtim nga Asociacioni Europian ENQA”, thotë ai.

ORCA deklaro se, veprimet a paralajmëruara të Kryeministrit çfarëdo qofshin ato do të jenë të paligjshme dhe në shpërputhje me Me Ligjin për Arsimin e Lartë dhe Ligjin për Agjencitë e Pavarura.

ORCA rikujton se Këshilli Shtetëror i Cilësisë është zgjedhur nga Kuvendi i Republikës dhe se çfarëdo vendimi nga ana e Kryeministrit Haradinaj do të kallëzohet penalisht nga ORCA si keqpërdorim i detyrës zyrtare.

ORCA u bën thirrje organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë të reagojnë për ruajtjen e pavarësisë së agjencive të pavarura, ndërkohë u bën thirrje partive politike në pushtet të përmbahen nga populizmi.

Të tjera