Lajme

Orban mbërrin në Moskë, BE “tërbohet” me kryeministrin hungarez

Autori: Gazeta inFokus 13:09 | 05 July 2024

Kryeministri hungarez Viktor Orban ka mbërritur në mesditë në Moskë ku pjesë e agjendës është një takim i tij me presidentin rus Vladimir Putin, ku do të diskutohet për konfliktin në Ukrainë dhe formulën e paqes.

Mbërritja e Orban u njoftua nga sekretari i tij i shtypit, Bertalan Havasi, i cili deklaroi se udhëheqësi hungarez ka shkuar në Rusi “si pjesë e një misioni paqeruajtës”.

Vizita e Orban në Moskë është kritikuar nga një numër zyrtarësh të lartë të BE-së si Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell.

-Advertisement-

Të dy dënuan udhëtimin dhe këmbëngulën se Hungaria pavarësisht se do të ketë presidencën e BE-së për 6 muajt në vijim, “nuk ka mandat për t’u angazhuar me Rusinë në emër të Bashkimit Europian”.Orban, megjithatë, ka pohuar se ai nuk kërkon asnjë lloj mandati për të promovuar paqen, duke vënë në dukje se diskutimet e tij nuk mund të konsiderohen si negociata zyrtare. Ai gjithashtu pranoi se vendi i tij ka një ndikim të kufizuar politik dhe se bisedimet e paqes për të zgjidhur krizën e Ukrainës ka shumë të ngjarë të mbahen nga fuqi më të mëdha.

“Por ne mund të jemi një mjet i mirë në duart e Zotit, ne mund të jemi një mjet i mirë në duart e njerëzve që duan paqen”, tha Orban përpara vizitës së tij në Moskë.

Vizita e Orban në Moskë vjen pak ditë pas asaj në Kiev, ku i kërkoi Vladimir Zelenskit që të konsideronte një armëpushim të menjëhershëm. Propozimi i tij u prit me refuzim dhe Orban deklaroi pas vizitës se Zelensky kishte disa dyshime në lidhje me sugjerimin e armëpushimit dhe nuk i pëlqeu shumë për shkak të përvojës së tij të keqe në të kaluarën me armëpushimet.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Nëse doktor Mitrev do të përdorte hemofiltrimin me qëllim që të mashtruar pacientët, do t’i kishte mashtruar të gjithë 1738…

Të tjera