Lajme

Opozita kërkon zgjedhje të reja, “Qeveria aktuale është e paaftë për ta udhëhequr vendin”

Autori: Gazeta inFokus 20:45 | 29 April 2023

Dy vjet pas marrjes së mandatit të Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Kurti, partitë opozitare po kërkojnë zgjedhje të reja.

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, tha se qeveria aktuale ka dëshmuar se nuk është e aftë ta udhëheq vendin.

Ndërsa, deputeti i LDK-së Driton Selmanaj thotë se qeveria e drejtuar nga kryeministri Kurti, ka stagnuar në proceset politike dhe se zgjedhjet e reja janë zgjidhje për të dalë nga kjo situatë.

-Advertisement-

“Gjithmonë kur vendimet e mëdha nuk merren, gjithmonë kur ka stagnim të proceseve politike. Kur kemi problem të funksionimit të Kuvendit normalisht që zgjedhjet janë gjithmonë opsion. Çdo ditë e më shumë sikur po tregohet që kjo qeveri s’është e vendimeve të mëdha as e punëve të mëdha dhe tash. Gradualisht po pjekën kushtet që Kosova dhe demokracia kushtetuese, ndoshta ka nevojë që të apdejtohet pak…”, tha Selmanaj.

Se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja e thotë edhe AAK-ja. Deputeti, Pal Lekaj thotë se kësaj qeverie duhet t’i vjen fundi.

“Kjo qeveri na del të jetë mashtrimi më i madh. Përveç që ka treguar paaftësi totale, e ka humbur edhe kauzën e saj morale në luftën kundër korrupsionit, e mos të flasim për deformim total të qëndrimeve politike e diplomatike. Nuk është këtu as zotimi e as besimi i madh qytetar që ka mandatuar këtë qeveri. Stagnimi politik, ekonomik, e degradimi në çdo sferë tjetër sociale, është sinjal që kësaj qeverie të paaftë e të kompromituar, duhet t’i vije fundi”, tha Lekaj, raporton RTV21.

Televizioni gjatë ditës kontaktoi me deputetë të partisë në pushtet, por ata nuk pranuan të flasin për këtë çështje.

Megjithëse vlerëson se ka arsye që vendi të shkojë në zgjedhje të reja, analisti politik, Albinot Maloku nuk sheh se aktualisht ka mundësi për një gjë të tillë.

Sipas tij, opozita nuk është serioze sa duhet në kërkesë e saj për zgjedhje të reja.

“Së pari duhet thënë që qeveria në mandatin aktual nuk është se mbahet në mend për ndonjë veprim për t’u veçuar. Për pasojë, sipas rrethanave aktuale, do të duhej të kishte zgjedhje. Mirëpo nuk shoh seriozitet të mirëfilltë nga ana e opozitës që ata më të vërtetë e duan këtë proces për faktin se gjatë kësaj periudhe dy vjeçare kanë qenë impotentë për qasjen e tyre pre opozitarëve… Nuk mendoj se tani për tani jemi në një fazë që do të ketë proces zgjedhor”, deklaroi Maloku.

Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e para dy viteve mori mbi 50% të votave, ndërkohë që të gjitha partitë politike në opozitë aktualisht nuk kanë numër të mjaftueshëm të deputetëve për të bërë ndryshime në qeverisjen aktuale

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani
-Advertisement-

Të tjera