Lajme

Opozita e ndarë rreth pranimit të propozimit evropian

Autori: Gazeta inFokus 08:28 | 28 February 2023

Dy partitë më të mëdha opozitare në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë kritikuar pranimin e propozimit evropian nga kryeministri Albin Kurti.

Sipas këtyre dy partive, me këtë propozim për normalizimin e raporteve me Serbinë, Kosova ka humbur njohjen e ndërsjellë dhe ka pranuar që ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Aty [në propozimin evropian] nuk flitet për njohjen nga pesë vendet mos-njohëse të BE, nuk flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, as për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE”, shkroi në Facebook, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.

-Advertisement-

Sipas tij, kryeministri Kurti me “veprime dhe politika të gabuara degradoi pakthyeshëm procesin e dialogut”.

“Rrjedhimisht, ai mundësoi heqjen e marrëveshjes finale me njohjen e ndërsjellë në qendër dhe i solli vendit një marrëveshje të përkohshme me asociacionin në qendër”, shkroi Krasniqi.

Pavarësisht se propozimi evropian – që u është dorëzuar palëve vitin e kaluar – ende nuk është bërë publik, në një draft që e ka parë Radio Evropa e Lirë, aty nuk përfshihet njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

Edhe LDK-ja u shpreh kritike ndaj Kurtit, duke argumentuar se propozimi nuk përfshin njohjen, por parasheh zbatimin e marrëveshjeje për Asociacionin.

Në rundin e ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të mbajtur më 27 shkurt, Kosova dhe Serbia u pajtuan për propozimin evropian për normalizimin e raporteve mes dy shteteve.

“Dokumenti i pranuar po ashtu parasheh implementimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake – përfshirë dhe Asociacionin – si dhe statusin e veçantë për Kishën Ortodokse Serbe. Kryeministrit i ka mbetur vetëm ta dakordojë datën e themelimit te Asociacionit, meqë ai, me pranimin e zbatimit të marrëveshjeve paraprake, ka pranuar që ta themelojë atë”, u tha në reagimin e LDK-së.

Ndërkaq, mendim ndryshe shprehu kreu i subjektit të tretë më të madh opozitar, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ramush Haradinaj e cilësoi si “arritje të madhe” pranimin e propozimit evropian.

“Marrëveshja është pranim faktik i pavarësisë së Kosovës, e cila i rikthehet normalitetit politik e të sigurisë, perspektivës integruese euro-atlantike e njohjeve te reja”, shkroi ai në Facebook.

Kryeminsitri Kurti e cilësoi takimin në Bruksel si konstruktiv, duke pretenduar se ai ishte i gatshëm të nënshkruante marrëveshje, por Serbia nuk shprehu gatishmëri.

“Ishte konfirmim që propozimi evropian është i pranueshëm dhe i pandryshueshëm. Ecja përpara do të jetë për planin e zbatimit. Jemi në një rrugë të mbarë dhe njëkahëshe të normalizimit të marrëdhënieve. Është marrëveshje e simetrisë, e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit në të ardhmen”, tha Kurti.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se në rundin e bisedimeve, që u ndërmjetësua nga BE-ja, nuk u fol për miratimin e propozimit, por për planin e zbatimit. Ai tha se deri më 23-24 mars, kur mbahet takimi i Këshillit Evropian, Kosova dhe Serbia, përmes takimeve me të dërguarin e bllokut për dialogun, Mirosllav Lajçak, duhet të përpilojnë një raport lidhur me atë se ku kanë arritur me çështjen e marrëveshjes për zbatimin e propozimit. Ai tha se prej kësaj do të varet edhe integrimi evropian i Serbisë dhe Kosovës.

Vuçiq insistoi se Serbia si prioritet ka zbatimin e marrëveshjeve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, gjë që kundërshtohet nga Kurti, i cili është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Pavarësisht se në propozimin evropian, draftin e të cilit e ka parë Radio Evropa e Lirë, nuk përmendet decidivisht Asociacioni, aty përmendet një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, më 2013 dhe 2015.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kërkojnë nga Kosova që të themelojë Asociacionin.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:

Të tjera