Lajme

Operacion në Vlorë, sekuestrohen 140 kg kanabis

Autori: Gazeta inFokus 15:42 | 31 May 2017

Një operacion nga toka dhe ajri i policisë së Vlorës, asaj Kufitare, Delta Force, Guardia di Finanza dhe policisë së Fierit, sekuestroi 140 kilogramë kanabis sativa dhe bllokoi dy gomone.

Gjatë kontrollove të ushtruara dje dhe sot, në fshatrat e lumit Vjosë dhe përgjatë vijës bregdetare Vlorë- Himarë- Sarandë deri tek malet e Delvinës, pranë vendit të quajtur “Shahino”, në fshatin Vergo të Delvinës midis disa shkurreve janë gjetur gjashtë thasë të mëdhenj të mbushura me kanabis sativa, me peshë të përgjithshme prej 140 kilogramë.

Në vijim të këtyre kontrolleve, janë evidentuar dhe asgjësuar 70 bimë narkotike të llojit kanabis sativa në fshatin Gjormë të Selenicës, të mbjella në një zonë të pyllëzuar, me lartësi nga 10 cm deri në 15 cm, të cilat u asgjësuan me djegie.

-Advertisement-

Gjithashtu, gjatë kontrolleve të ushtruara përgjatë lumit Vjosë, janë konstatuar dhe bllokuar dy gomone në fshatin Pish-Poro, të cilat dyshoheshin se ishin fshehur me qëllim për të trafikuar lëndë narkotike.

Aktualisht vazhdojnë hetimet për arrestimin e autorëve të implikuar në këto veprimtari kriminale.

Policia e Vlorës bën me dije se në ditët në vijim do të ketë kontrolle të rrepta me grupe pune të organizuara si dhe monitorimin e të gjithë territorit nga ajri, toka dhe uji me qëllim parandalimin e veprimtarive të paligjshme si dhe marrjen e masave për ndëshkimin e personave përgjegjës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E PREMTJA E BARDHË NË ETC ME ZBRITJE DERI 50%
-Advertisement-

Të tjera