Fokus

Ofensiva e Speciales, për çdo ditë nga dy të ftuar në Hagë

Autori: Halil Berisha 09:43 | 18 October 2019

Zyra e Prokurorit të Specializuar, pas një kohe “pauze” nga ftesat për intervistim të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, si duket, këto ditë, ka filluar aksionin me të madhe.

Megjithëse, gazeta inFokus, ka informata që ka pasur edhe ftesa tjera e që nuk janë bërë publike, ato çka dihen këto tre ditët e fundit, i bie që për çdo ditë ka pasur më shumë se një ftesë.

Së pari, më 15 tetor, u bë publike ftesa që i erdhi një doktori të luftës, Fadil Bekës.

-Advertisement-

Ish-deputeti i PDK-së, në një bisedë për gazetën inFokus, pati deklaruar që ftesa i ka ardhur fillimisht me telefon dhe është në cilësinë e të dyshuarit.

Beka, inFokusit, gjithashtu i ka treguar se është e planifikuar që intervistimi i tij nga hetuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar të realizohet në fund të tetorit.

Po këtë ditë, më 15 tetor, publike u bënë edhe dy ftesa tjera.

Tash për  anëtarin e kryesisë së shoqatës së veteranëve të dalur nga lufta dhe kryetarin e degës së Prishtinës, Fatmir Sopin, dhe veteranin e UÇK-së, Sejdi Veselin.

E një ditë më vonë, opinioni mësoi që nga specialja ka mbërritur edhe një ftesë tjetër, për një ish-epror të UÇK-së, në Zonën Operative të Llapit, Salih Mustafa, i njohur si “Cali”, shkruan gazeta inFokus.

Ndërsa, më 17 tetor, erdhi edhe një ftesë goxha e befasishme.

Kjo, pasi për intervistim u thirr, Abelard Tahiri, ministër në detyrë i drejtësisë.

E mëngjesin e kësaj të premte u mësua që edhe Nuredin Ibishi me nofkën “Leka” do të dal para hetuesve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Target i speciales, ditëve të kaluara ishin edhe eprorët më të lartë të UÇK-së, sikur Rrustem Mustafa, Sami Lushtaku, Jakup Krasniqi, Nazif Mehmeti, Sokol Dobruna, Blerim Kuçi, Bislim Zyrapi etj.

Ndërsa, Ramush Haradinaj, pas ftesës që i erdhi për intervistim, pati dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit të vendi./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera