Lajme

Ofensiva diplomatike e janarit, pesë ndërkombëtarë të premten në Prishtinë

Autori: Gazeta inFokus 14:33 | 18 January 2023

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se të premten përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës pritet të qëndrojnë në Kosovë në përpjekje për t’i dhënë një dinamikë të re dialogut Kosovë-Serbi.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka konfirmuar se i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak i shoqëruar nga këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të Gjermanisë (Jens Plettnerin), të Francës (Emmanuel Bonnin) dhe të Italisë pritet të jenë në Kosovë të premten.

Bashkë me ta do të jetë edhe emisari amerikan, Gabriel Escobar.

-Advertisement-

“Mund të konfirmoj se Lajçak do të udhëtojë në rajon këtë javë. Ai do të jetë për vizitë në Kosovë e Serbi këtë të premte. Në Prishtinë ai do të takohet me kryeministrin Kurti për të diskutuar për hapat e ardhshëm për normalizim të marrëdhënieve”, ka thënë Stano në një konferencë për media.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka thënë se është optimist se një marrëveshje mund të arrihet brenda pak muajsh dhe se tek pala kosovare ekziston vullneti për këtë.

“Unë jam optimist se një marrëveshje mund të arrihet brenda pak muajsh nëse ekziston vullneti për të arritur një marrëveshje – dhe mbështetja e Perëndimit demokratik, pra BE-së, NATO-s, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Unë kam shprehur vullnetin tim për ta bërë këtë. Por për një marrëveshje duhen dy palë. Për të pasur paqe afatgjatë, siguri dhe stabilitet rajonal, Serbia duhet të distancohet dy herë: nga e kaluara e Millosheviqit dhe tani nga Putini. Sepse Serbia po i afrohet gjithnjë e më shumë Rusisë. Putin dëshiron të nxisë konflikt në Kosovë”, ka thënë Kurti.

Një janar intensiv ishte paralajmëruar qysh në fund të vitit të kaluar sa i përket procesit të dialogut Kosovë-Serbi, shkruan Reporteri.net.

Javën e kaluar në Kosovë qëndroi edhe këshilltari i lartë i DASH, Derek Chollet.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani
-Advertisement-

Të tjera