Lajme

Oda Amerikane nis Javën e Arbitrazhit, diskutohet mbi rolin e gjyqësorit

Autori: Gazeta inFokus 11:52 | 25 September 2024

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, njofto se ka nisur Javën e Arbitrazhit me një diskutim mbi “Qasjet e ndërthurura nga gjyqësia, praktika arbitrazhit dhe fusha akademike”, me një panel të përbërë nga Mahir Tutuli, Keyetar i Gjykatës Komerciale, Iset Morina nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës, dhe Sokol Elmazaj, arbitër në Qendrën e Arbitrazhit të Odës Ekonomike Amerikane.

Bëhet e ditur se Kujtesa Nezaj-Shehu, kryesuese e Këshillit Drejtues të Qendrës së Arbitrazhit, foli për përkushtimin e Qendrës së Arbitrazhit për të zgjeruar përdorimin e arbitrazhit dhe ndërmjetësimit në Kosovë. Nezaj-Shehu iu referua edhe iniciativës së fundit të Odës Amerikane për të pasuruar listën e arbitrave, duke inkurajuar profesionistët që të shqyrtojnë mundësinë për t’u bërë pjesë e listës.

“Kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli, foli për sfidat në të cilat hasin gjykatat në lidhje me arbitrazhin, veçanërisht keqkuptimet rreth procedurave dhe pritshmëritë e palëve. Ai theksoi se vendimet e arbitrazhit janë të detyrueshme dhe gjykatat luajnë një rol të kufizuar, por thelbësor, për të siguruar respektimin e vendimeve të arbitrazhit”, thuhet në njoftimin e OEAK-ut.

-Advertisement-

Kurse profesori Iset Morina, ofroi një analizë përmbajtësore akademike të arbitrazhit. Morina diskutoi mbi rëndësinë e bashkëpunimit të arbitrazhit me gjyqësorin, veçanërisht sa i përket ekzekutimit të vendimeve të arbitrazhit, si dhe mbi sfidat e krijuara nga mungesa e dispozitave specifike ligjore në Kosovë.

“Arbitri Sokol Elmazaj vijoi diskutimin me një qasje praktike, duke theksuar arsyet për të cilat palët zgjedhin arbitrazhin në vend të gjyqësorit tradicional, dhe rëndësinë e përfshirjes së një klauzole arbitrazhi në kontrata. Elmazaj gjithashtu trajtoi rolin kritik të përzgjedhjes së arbitrave dhe nevojën për ekspertizë në fushën përkatëse dhe në praktikën e arbitrazhit”, thuhet tutje në këtë njoftim.

OEAK thotë se mbetet e përkushtuar për të promovuar shfrytëzimin e mekanizmave alternativë për zgjidhjen e kontesteve dhe zhvillimin e praktikës së mirëfilltë të arbitrazhit. Gjatë kësaj jave, ekspertë vendorë e ndërkombëtarë do të ndajnë ekspertizën e tyre me një audiencë që përfshin avokatët, zyrtarët ligjorë, bizneset dhe studentët.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Prince Coffee shkon edhe në Ferizaj – ambient i ngrohtë e risi në menu (VIDEO)
-Advertisement-

Të tjera