Lajme

Oda Amerikane e shqetësuar për mungesën e dialogut publiko-privat

Autori: Gazeta inFokus 10:00 | 29 November 2018

Oda Amerikane përmes një kumtese për media ka shprehur qëndrimin se fuqizimi i dialogut publiko-privat është parakusht për garantimin e një mjedisi të sigurt për investime.

“Oda Ekonomike Amerikane beson fuqishëm se sektori privat si hisedari më i rëndësishëm në arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, duhet të ketë mundësinë për dhënien e kontributit të tij në hartimin e politikave publike që do të mundësonin fuqizimin e sektorit privat, tërheqjen e investimeve të huaja direkte, luftimin e korrupsionit si dhe fuqizimin e sundimit të ligjit. Është për keqardhje që një sërë vendimesh dhe projektligjesh të aprovuara së fundmi janë bërë pa diskutim të mirëfilltë mes palëve të interesit, përfshirë këtu edhe sektorin privat dhe përfaqësuesit e tyre”, thuhet në njoftim, përcjell KosovaPress.

Në këtë aspekt, Oda Amerikane shpreh shqetësimin e saj edhe për mosfunksionimin e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik si një mekanizëm i cili përgjatë viteve të kaluara ka ofruar një mundësi unike për zhvillimin e dialogut publiko-privat dhe paraqitjen në mënyrë institucionale të kërkesave të komunitetit të biznesit për institucionet shtetërore.

-Advertisement-

“Kjo, me doemos përbënë një hap mbrapa në fuqizimin e dialogut publiko-privat dhe përmirësimin e mjedisit për të bërë biznes, gjë që pashmangshëm është reflektuar negativisht edhe në raportin e Bankës Botërore mbi Lehtësinë e të Bërit Biznes për vitin 2019, ku rangimi i Kosovës është përkeqësuar për katër pozita, krahasuar me vitin paraprak”, thuhet tutje në kumtesë.

Oda Amerikane edhe njëherë përsërit thirrjen për fuqizim të dialogut dhe për rifunksionalizim të mekanizmave formal të dialogimit, duke shprehur zotimin e saj për kontribut të vazhdueshëm konstruktiv në funksion të përshpejtimit të zhvillimit ekonomik dhe nxitjes së investimeve të sektorit privat.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
KosovaMed përmbyll vitin me sukses – dhuron donacione për QKMF-në e Junikut
-Advertisement-

Të tjera