Lajme

OBSH thotë se në trajtimin e pacientëve me COVID mos të përdoret Remdesiviri

Autori: Gazeta inFokus 10:32 | 20 November 2020

Ilaçi antiviral Remdesivir është këshilluar nga  Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) që të mos përdoret te pacientët me COVID-19.

Një panel i OBSH-së tha se ilaçi nuk ka “ndonjë efekt të rëndësishëm” në mbijetesë ose në uljen e kohës së shërimit.

Paneli i Grupit për Zhvillimin e Udhëzimeve i OBSh-së tha se rekomandimi i tij është i mbështetur në rishikimin e dëshmive ku përfshihen të dhënat nga katër testime ndërkombëtare në mbi 7.000 pacientë me COVID-19.

Ky lajm është një hap tjetër prapa për substancën tashmë të famshme, e cila mori vëmendje botërore si ilaç i mundshëm për trajtimin e sëmundjes COVID-19 gjatë verës pasi testimet e para dhanë ca shpresë, shkruan Reuters.

Miratim të përkohshëm për përdorimin e ilaçit antiviral  është dhënë nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe dhjetëra vende të tjera, pasi një hulumtim fillestar tregoi se mund të shkurtojë kohën e shërimit te disa pacientë me koronavirus të shtruar në spital.

Me Remdesivir u trajtua edhe presidenti amerikan Donal Trump.

Provat zbuluan se Remdesiviri nuk kishte asnjë efekt domethënës në uljen e vdekshmërisë, nevojën për ventilim mekanik, kohën e rikuperimit dhe faktorë të tjerë./Gazeta inFokus/

Të tjera