Lajme

OBSH, Lija e Majmunëve nuk pritet të çojë në pandemi

Autori: Gazeta inFokus 07:25 | 31 May 2022

Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk beson se shpërthimi i lisë së majmunëve jashtë Afrikës do të çojë në një pandemi, tha një zyrtar të hënën, duke shtuar se mbetet e paqartë nëse personat e infektuar që nuk shfaqin simptoma mund ta transmetojnë sëmundjen.

Më shumë se 300 raste të dyshuara dhe të konfirmuara të lisë së majmunit – një sëmundje zakonisht e lehtë që përhapet përmes kontaktit të ngushtë dhe mund të shkaktojë simptoma të ngjashme me gripin dhe puçra në lëkurë të mbushura me qelb – janë raportuar gjatë muajit maj, kryesisht në Evropë.

OBSH-ja po vlerëson nëse shpërthimi duhet të klasifikohet si “një emergjencë e mundshme e shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar”. Një vlerësim i tillë, siç u bë për COVID-19 dhe Ebolën, do të ndihmonte në përshpejtimin e kërkimeve dhe financimit, për të frenuar sëmundjen.

-Advertisement-

E pyetur nëse ky shpërthim i lisë së majmunëve ka potencialin të shndërrohet në një pandemi, Rosamund Lewis, drejtuese teknike për linë e majmunëve me Programin e Emergjencave të Shëndetit të OBSH-së tha: “Nuk jemi të sigurtë, por nuk mendojmë se do të avancojë. Për momentin, nuk jemi të shqetësuar për një pandemi globale,” tha ajo.

Me prekjen nga virusi i lisë së majmunit, kohëzgjatja e shfaqjes së skuqjes së lëkurës njihet si periudha infektive, por ka informacion të kufizuar nëse ka ndonjë përhapje të virusit nga njerëz që nuk shfaqin simptoma, shtoi ajo.

“Ne vërtetë nuk e dimë ende nëse ka transmetim asimptomatik të lisë së majmunëve – treguesit në të kaluarën kanë qenë se kjo nuk është një veçori kryesore – por mbetet për t’u përcaktuar, tha ajo.

Lloji i virusit që sjell komplikacione vret një pjesë të vogël të të infektuarve, por deri më tani nuk është raportuar asnjë vdekje.

Shumica e rasteve janë shfaqur në Evropë dhe jo në vendet e Afrikës Qendrore dhe Perëndimore ku virusi është endemik, dhe kryesisht nuk janë të lidhura me udhëtimin.

Prandaj, shkencëtarët po mundohen të përcaktojnë se çfarë mund të shpjegojë këtë rritje të pazakontë të rasteve, ndërsa autoritetet e shëndetit publik dyshojnë se ka një shkallë të transmetimit në komunitet.

Disa vende kanë filluar të ofrojnë vaksina tek njerëzit që kanë patur kontakte me raste të konfirmuara./VOA

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vazhdon përkushtimin ndaj gjithëpërfshirjes duke dhuruar një furgon për të mbështetur fëmijët me nevoja të veçanta
-Advertisement-

Të tjera