Lajme

OBSh-ja i reagon presidentit që tha se vaksinat janë të panevojshme nëse besohet në Zot

Autori: Gazeta inFokus 13:03 | 28 January 2021

Organizata Botërore e Shëndetësisë i bëri thirrje Tanzanisë që ta ndjekë shkencën, pasi presidenti i këtij shteti afrikan tha se vaksinat kundër Covid-19 janë të rrezikshme dhe të panevojshme, nëse njerëzit i besojnë Zotit dhe nëse përdorin metoda alternative, siç është thithja e avullit.

Kontradikta e presidentit të Tanzanisë, John Magufuli, ndaj konsensusit mjekësor botëror dhe dështimi i qeverisë së tij për të publikuar të dhëna rreth rasteve të koronavirusit që nga mesi i vitit të kaluar i ka zemëruar ekspertët shëndetësorë.

“E nxisim Tanzaninë që t’i shtojë masat e shëndetit publik, si vendosja e maskave, për ta luftuar Covid-19. Shkenca tregon që vaksinat funksionojnë dhe unë e nxis qeverinë që të përgatitet për fushatën e vaksinimit kundër Covidit”, shkroi Matshidiso Moeti, drejtoreshë e OBSh-së për Afrikë.

-Advertisement-

Të mërkurën, presidenti Magufuli tha se vaksinat mund të jenë pjesë e një komploti të huaj për të përhapur sëmundje dhe për t’i vjedhur pasuritë e Afrikës, ndonëse nuk ofroi ndonjë dëshmi për këtë pretendim, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

“Ne në Tanzani arritëm të qëndrojmë një vit pa koronën. Edhe këtu, askush nuk ka vendosur maskë. Zoti ynë është përtej satanit dhe satani gjithmonë do të dështojë duke përdorur sëmundje të ndryshme”, deklaroi Magufuli.

Ai më parë e ka vënë në pikëpyetje edhe rezultatin e testeve të koronavirusit, duke thënë se ato kanë treguar rezultate pozitive te një dhi dhe në pemë.

Ndryshe, Tanzania nuk ka publikuar të dhëna rreth rasteve me Covid-19 që nga 8 maji i vitit të kaluar. Shifrat e fundit në shtetin me rreth 60 milionë banorë tregojnë që atje janë vetëm 509 raste dhe 21 të vdekur nga Covid-19.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera