Lajme

Objekti i emergjencës që kushtoi 8 milionë euro ua rrezikon jetën e qytetarëve

Autori: Gazeta inFokus 19:29 | 15 April 2019

Edhe dy muaj pritet që të përfundojë ndërtimi i objektit më të përfolur të shëndetësisë në vend. Por, pavarësisht se punimet për ndërtimin e Klinikës Emergjente në QKUK, do të përfundojnë në qershor të këtij viti, kjo klinikë vështirë se do të mund të funksionalizohet ndonjëherë.

Madje, edhe nëse kjo klinikë nis punën, atëherë pacientët të cilët kërkojnë shërim aty, mund të dalin edhe me pasoja.

Objekti që i kushton buxhetit të shtetit më të varfër në rajon mbi 8 milionë euro, po del të ketë mangësi të mëdha. Gjithë kjo sipas raportit të hartuar nga një grup i ekspertëve të objekteve shëndetësore, shkruan Gazeta Express.

-Advertisement-

Klinika Emergjente

 

 

Në bazë të raportit “Vlerësimi i realizueshmërisë së qendrës emergjente në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës”, në këtë objekt cenohet jeta e pacientëve

“Jeta e pacientëve është e cënuar për mungesë të theksuar për qasje të shpejtë në hapësirat të cilat duhet të ofrojnë shërbimin mjekësore që në minutat e parë të arritjes së pacientit në emergjencë në mënyrë të veçantë hapësirat e triazhimit me reanimimin, diagnostikën imazherike, laboratorin, emotekën dhe sallat e operacionit, kardiokirugjisë dhe kardiokirurgjisë invasive”, thuhet në raport.

Poashtu, sipas këtij raporti, pacientët nuk janë të mbrojtur nga infeksionet dhe zjarri.

“Nuk garanton mbrojtje të pacientëve dhe përdoruesve të objektit nga infeksionet intra-hospitalore për arsye të përdorimit jo adekuat të sistemit të trajtimit të ajrit si dhe të përzierjes së rrugëve të pastra me ato të papastërta në lëvizjet horizontale dhe vertikale në mënyrë të veçantë në bllokun operativ dhe hapësirën e dedikuar për sterilizim,”

Përmbledhje ekzekutive e raportit të ekspertëve

 

 

Se projekti ka mangësi dhe se si i tillë nuk mund të jetë funksional edhe pas ndërtimit, këtë e thonë edhe kompania ndërtuese “Al Trade ”.

Leonit Gecaj nga Al Trade ka thënë se ata kanë nënshkruar kontratë për ndërtimin e klinikës Emergjente më 19 maj 2016, dhe se punimit pritet të përfundojnë gjatë qershorit të këtij viti.

“Al Trade ka nënshkruar kontrate për ndërtimin e klinikes Emergjente me date: 19.05.2016 dhe punimet kane filluar me përkushtim te mjaftueshëm dhe është arritur te ndërtohet ndërtimi i vrazhdë sipas planit dinamik. Sipas kontratës, te gjitha punët janë llogaritur te përfundojnë brenda 650 dite pune, apo orientimisht ne Qershor 2019”, ka thënë Gecaj.

Gecaj deklaron se kur kompania ka studiuar projektin për të cilin janë angazhuar ta ekzekutojnë, ata kanë evidentuar probleme të theksuara. Këto probleme, Gecaj thotë se janë komunikuar tek autoriteti kontraktues, për arsye se si përmirësime te pjesërishme nuk e arrijnë qëllimin e vet.

Sipas tij, projektit do i duhej një revidim i tërësishëm, në të kundërtën thotë se objekti nuk do të arrij të jetë sipas standardeve që kërkohen. Shton se vendimi për ndryshime eventuale në projektim i takon Autoriteti Kontraktues dhe se ata janë në pritje të një vendimi të tillë.

“Projekti, mendojmë se kërkon revidim  dhe ndërhyrje substanciale ne organizim ashtu qe te arrihen qëllimet funksionale te tij, në të kundërtën sipas vlerësimit tonë dhe te ekspertëve të fushës, projekti si i tillë nuk garanton funksionalitet. Ne jemi ne pritje te një vendimi final të Autoritetit Kontraktues, dhe shpresojmë qe do duhej te ishte një vendim për riprojektim sipas kërkesave dhe standardeve të kërkuara”, tha Gecaj.

 

 

Përmbledhje ekzekutive e raportit të ekspertëveE në Ministrinë e Shëndetësisë duket se nuk e kanë parë të nevojshme që të kthejnë përgjigje lidhur me këtë çështje, ani pse ndërtimi i Emergjencës në QKUK e “tkurr” buxhetin e shtetit për më shumë se 8 milionë euro.

Ndonëse kanë kaluar më shumë se 1 muaj që nga koha kur Gazeta Express ka dërguar pyetje në adresë të këtij institucioni, por që deri në momentin e publikimit të tekstit, ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Disa herë janë arsyetuar se meqenëse projekti është më i vjetër, iu duhet kohë për detaje, por pavarësisht pritjes, ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Përgjigje nuk kanë kthyer as në kompaninë mbikëqyrëse për këtë projekt.

Ndërkohë, ish Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, në kohën e të cilit është nënshkruar kjo kontratë, mohon që projekti ka mangësi.

Rrahmani thotë se me këto kërkesa po mundohet të arsyetohet një goditje e re mbi buxhetin e shtetit.

“Nuk ka kurrfarë lidhje revidimi eventual i projektit me funksionalitetin, por kjo ka lidhje kryekëput me arsyetimin e një  goditje të re mbi buxhetin e shtetit. Thjesht synohet ndërprerja e kontratës, ri tenderimi i pjesës së mbetur dhe ngritja e çmimit”, ka thënë Rrahmani.

Rrahmani ka thënë se me këtë projekt po synohet një grabitje e buxhetit të shtetit. Deklaron se njëjtë po veprohet edhe me projekte të tjera.

“Punët me çmime të larta janë krye, kanë mbetur ato me çmime të ulta, dhe normal që të dy palëve ju “konvenon”. Pra synohet një grabitje në pikë të ditës e parasë publike. Ngjashëm po zvarriten edhe projektet tjera”, ka thënë Rrahmani.

Ndryshe, gurthemeli për ndërtimin e kësaj klinike ishte vënë më 16 korrik të vitit 2016, në kompleksin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës,

Në ceremoninë e vënies së këtij gur themeli, ishin të pranishëm Kryeministri Isa Mustafa, Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, zyrtarë të lartë të MSH-së e SHSKUK-së, përfaqësueses te kompanisë ndërtuese Al Trade sh.p.k, profesionistë shëndetësore, qytetarë dhe autoritete të ndryshme publike.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera