Uncategorized

Nxitje për zhvillimin e energjisë me cilësi të lartë

Autori: Gazeta inFokus 15:48 | 02 January 2025

Ligji i parë për energjinë i Kinës hyri në fuqi më 1 janar, duke i dhënë për herë të parë një strukturë ligjore planifikimit energjetik e duke theksuar rolin e tij udhëheqës në zhvillimin kombëtar të energjisë.

Ligji i energjisë synon të nxisë zhvillimin e energjisë me cilësi të lartë, të garantojë sigurinë kombëtare të energjisë, të përshpejtojë tranzicionin e gjelbër dhe të mbështesë përpjekjet e vendit për të arritur objektivat e kulmit të lëshimit e të asnjanësimit të karbonit.

Ligji synon gjithashtu të përkrahë zhvillimin dhe përdorimin e energjisë së përtëritshme dhe të rritë përpjesëtimin e konsumit të energjisë jofosile. Ai i inkurajon individët e bizneset të kenë përkatësisht një stil jetese dhe një qëndrim për sa i përket prodhimit të gjelbër dhe me lëshim të ulët karboni.

-Advertisement-

Ligji e integron zyrtarisht hidrogjenin, i klasifikuar më parë si lëndë kimike e rrezikshme, në sistemin e menaxhimit të energjisë.

Për herë të parë, hidrogjeni njihet si energji sipas ligjit kombëtar, duke sqaruar veçorinë e tij energjetike dhe duke krijuar mundësi për të nxitur zhvillimin e biznesit të energjisë së hidrogjenit,” tha Wan Jinsong, zëvendësdrejtori i Administratës Kombëtare të Energjetikës të Kinës. “Ligji përcakton gjithashtu rëndësinë ligjore të Certifikatave të Elektricitetit të Gjelbër dhe mbështet përdorimin në rritje të elektricitetit të gjelbër në mbarë shoqërinë.”

Certifikatat e Elektricitetit të Gjelbër u përdorën në mënyrë provë në vitin 2017 për të krijuar një mekanizëm të mbështetur në tregun e energjisë elektrike të përtëritshme. Ato janë mënyra e vetme për të miratuar prodhimin dhe konsumin e energjisë së përtëritshme.

 

Sipas shifrave zyrtare, në Kinë ishin dhënë 3.55 miliardë certifikata të tilla deri në tetor të vitit 2024. Wan tha se ligji i energjisë do të nxisë transformimin e sigurisë energjetike.

 

“Ligji i energjisë përcakton rendin e rëndësisë për zhvillimin dhe përdorimin e lëndëve djegëse fosile e të energjisë së gjelbër. Ai gjithashtu e bën më të qartë se cili lloj energjie është më i rëndësishëm për t’u zhvilluar e përdorur dhe e bën më të lehtë të kalohet në energjinë jofosile në një mënyrë të sigurt, të besueshme dhe të rregullt,” shtoi Wan.

Përveç kësaj, ligji i energjisë paraqet masa inovative, të tilla si rezervat e kapacitetit të prodhimit të energjisë dhe rezervat e burimeve minerale. Për herë të parë, ai përcakton shprehimisht detyrimin e përgjegjësisë shoqërore të ruajtjes së energjisë nga ana e sipërmarrjeve, për të garantuar sigurinë energjetike gjatë situatave të skajshme.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Përsëri në shkollë me Viva Fresh Store!  
-Advertisement-

Të tjera