Lajme

Nxënësit, prindërit dhe drejtues të shkollave, kërkojnë të rikthehen shujtat

Autori: Gazeta inFokus 14:32 | 30 April 2023

Nxënësit dhe prindërit e tyre, si dhe drejtues të shkollave, po kërkojnë që shujtat të rikthehen për nxënësit e Komunës se Prishtinës, duke vlerësuar se ushqimi që marrin ata, është i sigurt, por edhe krijon barazi te nxënësit.

Drejtues të Komunës se Prishtinës, kanë bërë të ditur se janë në proces të përgatitjes së draft/planit për shujtat e nxënësve.

Dhënia e shujtave për nxënësit e shkollave fillore në Komunën e Prishtinës, nga prindërit po vlerësohet si një ndihmesë për familjet që kanë fëmijët e tyre në shkollë. Salie Osmankaq, nga Këshilli i Prindërve, i tha Radio Kosovës se sigurimi i shujtave për nxënësit është shumë i nevojshëm pasi krijon siguri për ushqimin që marrin, si dhe krijon barazi te të gjithë nxënësit.

-Advertisement-

“ Është shumë e rëndësishme që komuna ta këtë parasysh rikthimin e shujtave për nxënësit se paku për nxënësit e klasave të para deri të pestën. Kjo do të siguronte që fëmijët se pari të ndiheshin mirë dhe të ndiheshin të sigurt në kuptimin se marrin ushqim të kontrolluar. Dhe tjetra është shumë e rëndësishëm sepse krijohet ndjesia e barazisë. Përmes një veprimi që ne e kemi parë që komuna mund të arrijë ta bëj”,ka thënë Osmankaq.

Të rëndësishme e shumë të nevojshme këtë gjë po e sheh edhe drejtoresha e Shkollës fillore “ Ismail Qemaili” në Prishtinë, Mimoza Krasniqi. Ajo i tha Radio Kosovës se përvoja e më hershme kur komuna ka siguruar shujtat për nxënësit ishte pozitive, pasi që ka siguruar edhe barazi te nxënësit.

” Sipas përvojave që kemi pasur më herët, shpërndarja e shujtave ka qenë një gjë shumë pozitive. Shpërndarja e shujtave ndikon pozitivisht te nxënësit për shumë arsye. Ajo që është kryesore është që ushqimi që vjen te fëmijët është për të gjithë i njëjtë dhe kjo gjë është pozitive pasi disa fëmijë nuk kanë mundësi të marrin ushqime të llojllojshme dhe shpërndarja e shujtave mundëson të këtë barazi në mes të nxënësve”, ka thënë Krasniqi.

Rreth kësaj çështjeje, Radio Kosova ka pyetur përgjegjësit në Komunën e Prishtinës, se a pritet dhe kur do të fillohet më shpërndarjen e shujtave për nxënës. Drejtoresha e Arsimit, në komunën e Prishtinës , Besianë Musmurati në një përgjigje me shkrim i tha Radio Kosovës se janë në proces të përgatitjes së planit për shujtat e nxënësve.

“Aktualisht, jemi në proces të përgatitjes së draft/planit për shujtat e nxënësve. Për detaje të tjera ju njoftojmë në momentin që përfundon procesi,.” , thuhet në përgjigje.

Edhe psikologët, shpërndarjen e shujtave po e vlerësojnë shumë pozitive, pasi marrja e ushqimit i ndihmon fëmijët të koncentrohen në mësim, ndërsa rëndësi e veçantë është se ushqimi është i kontrolluar dhe eliminon pabarazitë në mes të nxënësve.

Aktualisht në Kosovë, disa komuna vazhdojnë të shpërndajnë shujta ushqimore për nxënësit nga klasa e parë deri në të 5-ën.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Coffee Show B2B në Zagreb nga Devolli Corporation
-Advertisement-

Të tjera