Lajme

Numri i komunave të fituara, AAK kalon LDK-në

Autori: Gazeta inFokus 22:52 | 17 December 2017

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në zgjedhjet për kryetar të komunave ka fituar në gjithsej 8 komuna, përfshirë edhe ato të sotme në Istog, duke marrë primatin si partia me më së shumti komuna të fituara në vend.

Në këtë mënyrë AAK ka kaluar Lidhjen Demokratike të Kosovës për nga numri i komunave të fituara, pasi kjo e dyta ka fituar në shtatë komuna.

AAK në zgjedhjet lokale të 22 tetorit ka fituar në Gjakovë, duke marrë pushtetin lokal nga ai i Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa, në Klinë, ku në qeverisjet e kaluara pushtetin e kishte PDK-ja. Kjo parti ka marrë edhe një komunë tjetër të re, atë në Suharekë përballë kandidatit të LDK-së Sali Asllanajt, ndërsa sipas rezultateve preliminare të KQZ-së AAK del fituese edhe në komunën e Istogut, e njohur si bastion i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

-Advertisement-

AAK ka ruajtur pushtetin e nivelit lokal në komunën e Obiliqit, ku ka fituar përmes kandidatit të saj Xhafer Gashi, sikurse edhe në Junik dhe Deçan.

Kjo parti ndërkaq ka fituar në zgjedhjet lokale edhe një komunë, atë të Rahovecit, e cila deri më tash ishte qeverisur nga PDK-ja.

Në vendin e dytë për nga numri i komunave të fituara në nivel lokale është Lidhja Demokratike të Kosovës, e cila ka ruajtur Gjilanin, Pejën, Vitinë, Fushë Kosovën, Lipjanin, Podujevën, ndërsa ka fituar Vushtrrinë. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) radhitet e treta, me 5 komuna: Drenas, Kaçanik, Ferizaj, Shtime dhe Dragash.

Në vendin e katërt radhitet Lëvizja Vetëvendosje, e cila përveç që ruajti pushtetin lokal në kryeqytet duke fituar me një rezultat të ngushtë përballë LDK-së, për herë të fitoi në Prizren dhe Kamenicë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Marsi sjell Magji në ETC
-Advertisement-

Të tjera