Lajme

Numërohen 93% e kutive të votimit: PS kalon në 74 mandate

Autori: Gazeta inFokus 13:41 | 27 April 2021

Deri më tani në Shqipëri janë numëruar 4889 qendra votimi nga 5199 në total ose thënë ndryshe rreth 93% të votave.

Teksa kanë ngelur më pak se 7% e kutive të numërimit pa u kalkuluar, socialistët vijojnë të udhëheqin në rang kombëtar me 74 mandate.

Ndërkohë bëhet e ditur se aktualisht ka përfunduar numërimi i votave në 10 qarqe, ndërsa tashmë sytë janë nga Tirana dhe Durrësi. Konkretisht mbeten për t’u numëruar rreth 60 kuti në Durrës dhe 250 kuti në Tiranë.

-Advertisement-

Socialistët kanë arritur të shtojnë një mandat që prej orëve të mëngjesit, duke shtuar një mandat të tetë në qarkun e Durrësit.

Aktualisht në Tiranë PS kryeson me 18 mandate, ndjekur nga Partia Demokratike me 15 mandate. LSI ka dy mandate ndërsa PSD një mandat.

Kukësi është qarku që ka mbyllur i pari numërimin ku demokratët morën 2 mandate, ndërsa PS vetëm një mandat. Edhe Shkodra, ka sjellë epërsi të demokratëve me 5 mandate. PS ka marrë tre mandate në kryeqendrën e veriut. Surprizë ka qenë PSD me dy mandate, duke lënë pas edhe LSI që ka marrë vetëm një mandat.

Lezha ka sjellë përparësi të demokratëve me 4 mandate, ndërsa socialistët kanë marrë tre mandate. Në Dibër, epërsia e PS ka zgjatur vetëm pak orë, pasi pasditen e djeshme demokratët arritën në avantazhin e ngushtë duke bërë që mandatet të ndahen në 3 për PD dhe 2 për PS.

Elbasani ka shumicë për PS me 8 mandate, PD ka arritur të fitojë 6 mandate, ndërsa LSI nuk ka marrë asnjë mandat pavarësisht se në listë kishte edhe Monika Kryemadhin. Diferencë e ngushtë në Korçë, ku socialistët kanë marrë 6 mandate, ndërsa PD ka arritur të sigurojë 5 mandate.

Në Berat PS ka marrë 5 mandate, duke siguruar edhe vendin e Blendi Klosit në Kuvend i cili ishte renditur në vijën e zjarrit, ndërsa PD ka marrë dy mandate. Pa asnjë mandat ka mbetur LSI e cila kishte në listat e saj dy emra të njohur të partisë, Ardit Çela dhe Lefter Maliqi.

Gjirokastra i ka dhënë 3 mandate socialistëve ndërsa PD ka marrë vetëm një mandat. Në Vlorë socialistët kanë marrë 8 mandate, duke siguruar vendin e fundit të kryeministrit Edi Rama, PD 1 mandat ndërsa partitë e tjera nuk kanë marrë asnjë mandat.

Ndërkohë Fieri i ka dhënë 9 mandate socialistëve duke siguruar edhe vendin në Kuvend të Gramoz Ruçit, i cili pavarësisht se është i 10-ti në listë, pas ndarjes nga jeta të Bashkim Finos, arrin të marrë mandatin e 9 të PS në këtë qark. Në Fier, PD ka siguruar 6 mandate, ndërsa LSI një mandat. Me ndarjen e deritanishme të mandateve, mbetet për t’u sqaruar edhe pozita e krerëve të partive që kanë kandiduar në më shumë se një qark.

Gjiknuri deklaroi në daljen e tij për mediat, se kryeministri Edi Rama do të jetë deputet në Vlorë duke lënë të nënkuptuar se ai ka bërë zgjedhjen e tij.

Ndërsa Kryemadhi e cila kandidonte në Fier, Tiranë dhe Elbasan, do duhet të zgjedhë mes dy të parave pasi kjo e fundit nuk ka i ka dhënë asnjë mandat partisë së saj./Express/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita po tërheq klientë seriozë në Panarin IMM, në Këln të Gjermanisë

Të tjera