Lajme

“Nuk kemi arsye ta fajësojmë Evropën për gabimet tona”, Çitaku i reagon Gërvallës

Autori: Gazeta inFokus 17:59 | 10 July 2021

Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku ka reaguar ndaj deklaratës së Ministres së Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Donika Gërvallës e cila tha se “nuk kemi arsye ta fajësojmë Evropën për gabimet tona”.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, ajo është shprehur se Gërvalla nuk duhet të shtrembërojë të vërtetën.

“Detyra e juaj është ta plasoni Kosovën në dritën e saj më të mirë. Jo të mos e thoni të vërtetën, por as mos ta shtrembëroni atë”, ka reaguar Çitaku.

-Advertisement-

Sipas saj, edhe vetë ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë e ka konfirmuar se Kosova ka përmbushur kriteteret për liberalizim të vizave.

“E nderuara Ministre, para pak javësh në Prishtinë, Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë konfirmoi atë të cilën Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian po e përsërisin tani e disa vite: Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Keni parasysh, qytetarët e Venezuelës, Kolumbisë e shumë të tjerë deri në Taiëan mund të udhëtojnë pa viza në BE”, ja shkruar Çitaku.

”Askush nuk po thotë se Kosova është gati sot të jetë anëtare e BE-së, sepse ne kemi ende për të bërë në luftën kundër korrupcionit, në sundimin e ligjit dhe në përjetësimin e vlerave evropiane. Por, ta keni të qartë, as brenda BE-së nuk ka uniformitet në zbatimin e vlerave dhe standardeve. Jo të gjitha vendet e BE-së janë në nivelin e Finlandës apo Suedisë”, ka shtuar ajo.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në Forumin e Dubrovnikut ka thënë se Kosova nuk duhet ta fajësojë Bashkimin Evropian për gabimet e saj.

“Duhet të vlerësohet, pavarësisht të gjitha vështirësive dhe prapambetjes, Bashkimi Evropian na ka ofruar më të mirën që ka mundur, perspektivën e anëtarësimit në projektin më të suksesshëm në historinë e Evropës. Për këtë arsye, e më shumë për veten tonë, ne duhet t’i bëjmë detyrat e shtëpisë, duhet që ta zbatojmë sundimin e vërtetë të ligjit, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit, duhet të garantojmë liri të medias, duhet të zhvillojmë vërtetë reformën në drejtësi… nuk ia kemi dalë akoma, dhe nuk kemi arsye ta fajësojmë Evropën për gabimet tona”, ka deklaruar Gërvalla.

Kosova, qeveria dhe qytetarët, sipas saj, “nuk do të bllokohen drejt ndarjes, cinizmit dhe alternativave tjera siç është i ashtuquajturi mini-shengeni”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm

Të tjera