Lajme

“Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”, përmes marshit kërkohet ndalimi i vrasjeve të grave në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 18:44 | 05 December 2023

Me sloganin “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”, organizata Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, ka mbajtur protestë gjithëpopullore, duke kërkuar që dhuna e gjinizuar dhe femicidi të trajtohen si urgjencë kombëtare.

Qindra qytetarë marshuan sonte me një kërkesë, të ndalohet vrasja dhe dhuna ndaj grave në Kosovë.

Protesta erdhi rreth një javë pas vrasjes së një gruaje 30-vjeçare në kryeqytet – një rast që e tronditi vendin.

-Advertisement-

Duke mbajtur pankarta me mbishkrime si, “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave” dhe “Vrasësit e grave në burg”, dhe duke brohoritur “Liri, barazi, solidaritet”, “Drejtësi për Liridonën” dhe “Drejtësi për gratë të vrara”, protestuesit marshuan nga Sheshi “Zahir Pajaziti” deri tek ndërtesa e Qeverisë së Kosovës në qendër të qytetit.

Liridona është gruaja e katërt të vritet sivjet në Kosovë.

Të dyshuar për vrasjen e Liridonës janë bashkëshorti i saj, Naim Murseli dhe dy persona të tjerë me inicialet G.P, dhe K.K, sipas Policisë së Kosovës. Gjykata u ka caktuar atyre një muaj paraburgim.

Fillimisht, u raportua se Liridona u vra gjatë një grabitjeje, por prokuroria dyshon se bashkëshorti i saj, Naimi, e organizoi vrasjen, siguroi armën për dorasin dhe premtoi 30 mijë euro shpërblim.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, në periudhën janar-tetor të këtij viti, në Kosovë u raportuan tri gra të vrara brenda familjes.

Po sipas policisë, në dhjetë muajt e parë të vitit u evidentuan 2.186 raste të dhunës në familje – prej të cilave viktima ishin mbi 1.700 gra.

Gjatë gjithë vitit 2022, ndërkaq, ishin 2.765 raste të dhunës në familje, me mbi 2.200 viktima gra – katër prej tyre të vrara.

Në bazë të raportimeve të Policisë së Kosovës dhe Rrjetit të Grave të Kosovës, numri i përgjithshëm i grave të vrara në Kosovë nga viti 2010 deri në nëntor të këtij viti është 55.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
E PREMTJA E BARDHË NË ETC ME ZBRITJE DERI 50%
-Advertisement-

Të tjera