Fokus

Nuk ka mësim javën e parë të prillit?

Autori: Anita Krasniqi 14:41 | 25 March 2019

Viti 2019 i gjeti nxënësit e Republikës së Kosovës “nën ethe”.

Në janar ata ishin në mëdyshje se kur do të filloj gjysmëvjetori i dytë shkaku i grevës së paralajmëruar nga krerët e Sindikatës së Arsimit, shkruan Gazeta inFokus.

Dhe për tri javë nxënësit mbetën në shtëpi.

-Advertisement-

Por ende 356 mijë e 270 nxënës  janë “nën ethe” se a do të ketë pushim pranveror këtë vit apo jo.

E gjithë kjo pasi që Ministria e Arsimit dhe Sindikata e Arsimit nuk po mund të arrijnë një marrëveshje.

Sipas nenit të 7, paragrafi i dytë, në Udhëzimin Administrativ të për Kalendarin e Vitit Shkollor 2018/2019, është paraparë që pushimi pranveror të filloj më datën 1 prill e të mbaroj më 5 prill 2019.

Arbër Geci, zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit,  për gazetën inFokus ka thënë se vendimi i Ministrisë së Arsimit është i qartë.

Ai tha se pesë ditë në pushim pranveror do të kompensohen për orët e humbura në janar.

“Vendimi për kompensimin e orëve është marrë nga Ministria dhe është paraparë që të kompensohet në ditë të pushimit pranveror, vendimi është në fuqi ku ne presim nga shkollat që ta respektojnë atë. Pesë ditë të pushimit pranveror do të mbajnë mësim për kompensim të orëve të humbura”, ka thënë Geci.

Por kryetari i SBASHK-ut, Rraham Jashari, ka theksuar përsëri se punonjësit e arsimit nuk do të punojnë gjatë pushimit pranveror.

Ai po konsideron se nxënësit duhet të mbajnë pushimin e plotë pranveror, pasi që atyre u nevojitet një gjë e tillë

“Kompensim të orëvë të humbura nuk do të ketë. Vendimin e Ministrinë ne e kemi kundërshtuar dhe nuk është i vlefshëm për ne. Sipas nesh duhet të ketë pushim pranveror ku nxënësit e mbyllin një etapë mësimore prandaj nxënësit duhet të përgatiten për etapën e fundit mësimore. Mbase edhe prindërit e tyre kanë planifikuar ndonjë vizitë ku është e drejtë e tyre për pushim e jo të ketë tendenca se gjoja për të kompensuar orët të punohet”, ka thënë Jashari për Gazetën inFokus.

Por Geci thotë se për kompensimin e orëve të humbura nuk ka kompetenca SBASHK-u të merr vendime, por t’i zbatoj ato.

“SBASHK-u nuk i ka kompetencat ligjore që të caktoj kompensimin e orëve të humbura. Ministria është ajo që merr vendime. Ne nuk mund t’i ndëshkojmë nxënësit me shkurtimin e orëve mësimore ku është humb mjaft gjatë grevës dhe besoj që është e domosdoshme të plotësohet norma mësimore dhe plan programit”, ka thënë Geci për inFokus.

Për tre jave rresht arsimi në Kosovë ishte në kolaps, si shkak i grevave në institucionet arsimore.

Punonjësit e arsimit ishin futur në grevë duke i bërë trysni Qeverisë së Kosovës që të ndryshojë Ligjin për pagat, duke rritur koeficientin për 30%, që rrjedhimisht nënkupton rritje të pagave.

Kjo grevë përfundoi kur kryeministri Ramush Haradinaj ua rriti koeficientin 20%, por SBASHK-u nuk po arrin të bie në ujdi për kompensimin e orëve të humbura./Gazeta inFokus/

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera