Lajme

Nuk ishin në vendin e punës, suspendohen tre mjekë

Autori: Gazeta inFokus 17:47 | 07 August 2018

Tre mjekë janë suspenduar nga puna e tre të tjerë janë dërguar në komisionin disiplinor përfshirë edhe dy infermierë.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli.

Ministri ka treguar se është njoftuar nga Bordi i ShSKUK-së se gjatë një inspektimi që ka bërë drejtori i këtij institucioni mbrëmjen e kaluar në disa klinika nuk i ka gjetur në vendin e punës disa mjekë dhe infermierë.

-Advertisement-

Ministri Ismaili tha se nuk do të ketë kompromis dhe askush nuk do të falet nëse mungojnë në vendin e punës.

Ky është postimi i plotë i ministrit Ismaili në profilin e tij në “Facebook”:

“Porsa u njoftova nga Bordi i SHSKUK-së, se gjatë një inspektimi, të cilin e ka bërë drejtori i këtij institucioni Basri Sediu, gjatë natës së djeshme, në disa klinika nuk i ka gjetur fare në vendin e punës disa mjekë dhe infermierë.

Si rrjedhojë, 3 mjekë janë suspenduar nga puna, 3 të tjerë janë dërguar në komision disiplinor përfshirë edhe 2 infermierë.

Duke e mirëkuptuar punën e vështirë dhe lodhjen e madhe që mund ta kenë gjatë ushtrimit të profesionit, mungesa në vendin e punës nuk e arsyeton askënd. Mungesa e tyre në vendin e punës mund të jetë humbje e madhe për dikë.

Ne po punojmë çdo ditë që të përmirësojmë kushtet për personelin mjekësor në vend, siç bëmë ditë më parë duke rritur pagat e kujdestarive për ta, por çdokush që sillet në mënyrë të papërgjegjshme karshi punës dhe qytetarëve tanë, nuk e meriton të jetë aty.

Këtë sjellje nuk e meritojnë mijëra profesionistë shëndetësorë, të cilët e bëjnë punën e tyre me nder dhe përgjegjësi, që të njollosen nga raste të tilla. Prandaj, në këto situata, nuk do të ketë kompromis dhe askush nuk do të falet.”

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:

Të tjera