Sport

Nuk i paguajnë gjyqtarët kosovarë, marrin të huaj për të ndarë drejtësinë

Autori: Gazeta inFokus 13:25 | 11 January 2020

Gjyqtarë të huaj do të ndajnë drejtësinë në ndeshjet e xhiros së 17-të të Superligës së Kosovës në basketboll, me të cilën edhe nis pjesa e dytë e këtij edicioni pas një pauze prej tri javësh. Arsyeja e angazhimit të gjyqtarëve të huaj nga Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), është bojkoti i atyre kosovarë.

Vendorët qysh muajin e shkuar kanë paralajmëruar bojkotin e ndeshjeve nëse FBK-ja nuk ua shlyen borxhet që ka ndaj tyre. Në atë takim, gjyqtarët kosovarë kishin kërkuar që të shlyhen borxhet ndaj tyre deri në fund të vitit, duke paralajmëruar bojkotin e ndeshjeve të Superligës për pjesën e dytë nëse nuk ndodh një gjë e tillë. Pasi nuk janë shlyer të gjitha borxhet, gjyqtarët kanë refuzuar të ndajnë drejtësinë dhe nuk kanë pranuar marrëveshjen e ofruar nga FBK-ja, në takimin e fundit të mbajtur gjatë kësaj jave, shkruan sot KD.

Kështu, FBK-ja ka reaguar dhe ka angazhuar gjashtë gjyqtarë të huaj, të cilët do të ndajnë drejtësinë në katër ndeshjet e këtij vikendi. Sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, të premten ka konfirmuar angazhimin e të huajve, por nuk ka zbuluar se nga cili shtet vijnë. Ajo ka thënë se pas bojkotit të vendorëve, FBK-ja ka kontaktuar me FIBA-n për t’u dakorduar që të angazhojë gjyqtarë nga jashtë, të cilët vijnë prej vendeve ku ende nuk ka filluar pjesa e dytë e stinorit.

-Advertisement-

“Nuk do të ketë shtyrje të kampionatit, pasi pjesa e dytë do të fillojë me kohë ashtu siç ishte planifikuar. Për xhiron e parë të pjesës së dytë kemi angazhuar gjyqtarë të huaj, duke pasur parasysh se vendorët nuk kanë pranuar marrëveshjen që u kemi ofruar në takimin e fundit. Do të vijnë gjashtë gjyqtarë të huaj për ndeshjet e këtij vikendi dhe pastaj do të shohim. Ne kemi kontaktuar FIBA-n dhe kemi rënë dakord që të kërkojmë ndihmë prej federatave ku ende nuk ka nisur kampionati”, është shprehur Dushku të premten.

“Ne do të vazhdojmë në këtë mënyrë përderisa të arrihet marrëveshja me Shoqatën e Gjyqtarëve. Shpresojmë që sa më shpejt kjo marrëveshje të arrihet, pasi kështu vetëm do të dëmtohemi, si ne ashtu edhe gjyqtarët në raport me FIBA-n”

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera