Lajme

“Nuk arrita ta kuptoj ku dallojmë nga LDK’ja”, Doarsa Kica i jep të gjitha arsyet për largimin nga GUXO

Autori: Gazeta inFokus 16:16 | 09 September 2022

Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili këto ditë ka zënë faqet e mediave pas vendimit të saj politik për të braktisur “GUXON”-n që Vjosa Osmani ia la Gërvallës e Pecit dhe për t’iu bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës. Mes kritikash e linçimesh nga Vetëvendosje dhe nga deklaratat me tendencë zhvlerësuese nga kolegë të GUXO-s, Kica-Xhelili kishte realizuar fotografinë me Abdixhikun për zyrtarizmin e kalimit në LDK.

Pavarësisht përpjekjeve të “GUXO” për të paraqitur si një largim të paarsyeshëm dhe pa ndonjë bazë, rrëfimi i deputetes Kica-Xhelili në “Rubikon” tregon për ndasitë që kishin lindur me saj dhe GUXO-s gjatë rrugës.

Kica-Xhelili ka treguar se ishte futur në politikë fillimisht si pjesë e Listës Vjosa, derisa sqaron se pasi Osmani u bë presidente, ndryshuan rrethanat dhe kishin filluar diferencimet me Listën GUXO.

-Advertisement-

“Ato s’u shpërfaqen në fillim. Natyrisht, edhe kur je pjesë e diçkaje, duhesh t’iu japësh një mundësi. Dhe do të ishte thjesht korrekte të japësh mundësi dhe të shohësh se çka mund të ofrojë ajo”, ka thënë Kica-Xhelili.

Ajo tutje ka folur se pas 14 shkurtit 2021, kishte humbur qartësia për atë se për çfarë qëndronte Lista GUXO. Kjo për Kica-Xhelilin ka qenë një prej arsyeve që ia ka forcuar bindjen e saj për t’i ndarë rrugët me “GUXO”.

Deputetja që tashmë është pjesë e LDK’së flet për takime me zyrtarë të “GUXO”-s ku s’ishte më i qartë vizioni që kishte partia, themelet e të cilës si nismë i kishe vendosur Vjosa Osmani.

“Nuk është qe kam menduar në fillim që s’ka vizion. Por kam insistuar që ta kuptojë atë vizion. Dhe e kam gjetë vetën shpesh në takime me anëtarë të GUXO, ku është përmendur shpesh herë fakti që GUXO është LDK-ja e vërtetë. Ne kemi pasur edhe Kuvende zgjedhore ku ky në fakt ka qenë edhe narrativa, një nga elementet e narrativës”, ka thënë ajo.

Një rrëfim i tillë Kica-Xhelili thotë se e kishte bërë të ndihej e përjashtuar, meqë kjo si e re në politikë ai rrëfim dhe ajo kornizë mbi të cilën po ecte GUXO nuk i përkonte më rrugëtimin e saj politik.

Madje kjo për të përbënte edhe problemin kryesor që binte ndesh me arsyen pse ajo edhe kishte vendosur të futej në politikë.

Kica-Xhelili thotë se GUXO gjatë rrugës ishte shndërruar në një lëvizje në të cilën s’mund ta shihte vlerën e shtuar, duke thënë se sa herë flitej për vizion, thuhej se në GUXO ishin rugovistët dhe LDK-istët e vërtetë, raporton Gazeta Express.

“Ajo që ndodhi është që realisht GUXO për mua rrugës nuk ishte më platforma që mund ta shihja vlerën e shtuar, në kuptim të vizionit. Pa dashur të flasë për individë. Sepse nuk e kuptoja se cila ishte vizioni përderisa ne njëra nga format që prezantonim veten ishte që ishim rugovistët dhe LDK-istët e vërtetë”, ka sqaruar deputetja.

Kica-Xhelili ka thënë se një gjë e tillë s’paraqiste problem, por ishte e pamjaftueshme.

“Pyetja ime ka qenë legjitime, si diferencohemi nga LDK dhe pse jo në LDK, dhe këtë nuk kam arritur ta kuptojë rrugës”, ka shtuar tutje.

Ajo ka thënë se i kupton reagimet ndaj saj, derisa potencon se asnjëherë s’ka thënë se do të shkojë në Lëvizjen Vetëvendosje.

“Unë e kuptoj edhe vrullin e reagimeve. Por ajo që është e pakontestueshme është që unë në asnjë momentum nuk kam thënë që synoj t’i bashkohem Lëvizjes Vetëvendosje. Dhe e kam shfaqur faktin që nuk e kam atë synim”, ka thënë Kica-Xhelili.

Përveç tjerash, Kica-Xhelili ka treguar se kishte njoftuar Faton Pecin dhe Donika Gërvallën qysh në fillim të muajit gusht se do të largohej nga “GUXO”. Ajo madje ka treguar se si kishte treguar korrektësi duke iu thënë se nuk do të tregonte për dorëheqjen e saj derisa të përfundonte procesi i brendshëm zgjedhor.

Në rrëfim e sipër, Kica-Xhelili thotë se ka vendosur në mënyrë paralele që të dorëhiqet edhe nga GUXO edhe nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, meqë reforma në drejtësi nuk po materializohet ashtu siç ishte thënë.

“Arsyeja pse unë në mënyrë paralele jam hequr nga dyjat është pikërisht për kauzat që unë kam hyrë në politikë. Dhe është pikërisht fakti se s’po materializohen në mënyrën se si kemi thënë që do të materializohen”, ka thënë tutje ajo, duke sqaruar se largimi i saj s’ka pasur të bëjë më inate personale.

“Nëse do të varej karriera ime nga çarjet personale, do ta lija këtë fushë të operimit”, ka thënë ajo.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera