Normalizimi i dhunës që mund të çojë në vrasje
Autori: Gazeta inFokus 09:31 | 03 December 2022
Ekspozimi i hershëm i fëmijëve ndaj dhunës dhe tolerimi i saj mund të çojnë në tendenca të dhunshme të të rriturve, thotë Kaltrina Kelmendi, profesoreshë në Departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës.
“[Në kontekstin e shoqërisë kosovare] ekziston një lloj normalizimi i përdorimit të dhunës si mënyrë e zgjidhjes së problemeve”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Në javën e fundit të nëntorit në Kosovë janë vrarë dy gra – përfshirë një shtatzënë – dhe të dyshuar kryesorë për vrasjet kanë qenë bashkëshortët e tyre. Në rastin e shtatzënës, autoritetet kanë konfirmuar se i dyshuari ka pasur edhe aktakuzë për dhunë në familje.
Psikologja Kelmendi ka publikuar disa studime në lidhje me këtë fenomen, përkatësisht dhunën në familje, dhunën në bazë gjinore dhe dhunën mes partnerëve intimë.
Në bazë të këtyre studimeve, ajo thotë se tendencat e dhunshme mund të lindin si rrjedhojë e një cikli të dhunës, ndaj të cilit personi mund të ketë qenë i ekspozuar që nga fëmijëria e hershme deri te mosha madhore.
“Kjo ndikon në zhvillimin e disa qëndrimeve tolerante ndaj dhunës dhe bën që dhuna të shihet si formë legjitime e zgjidhjes së konflikteve”, thotë Kelmendi.
Sipas saj, nëse fëmijët janë të ekspozuar ndaj dhunës në familje, qoftë si viktima apo si dëshmitarë, kjo i rrit gjasat që ata të jenë të dhunshëm kur të rriten.
Kelmendi thotë se në familjet kosovare, një numër i madh i fëmijëve i ekspozohen dhunës si formë e disiplinës.
Këtë e konfirmon edhe një anketë e publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në vitin 2020 dhe e realizuar me mbështetjen e Fondacionit për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara, UNICEF. Sipas saj, mbi 72 për qind e fëmijëve kosovarë janë të disiplinuar me dhunë.
Kelmendi thotë se institucionet shtetërore duhet të zhvillojnë programe që merren me dhunën në familje në aspektin vetëdijesues.
“Duhet të merremi jo vetëm me pasojat e dhunës, duhet të punohet edhe në ngritjen e vetëdijes tek anëtarët e familjes, qoftë te viktimat e dhunës, qoftë te përjetuesit e saj, në mënyrë që dhuna të mos përsëritet”, thotë ajo.
Studiuesja e konsideron të rëndësishme që, përtej kurrikulave aktuale të mësimit, në shkolla të zhvillohen programe edhe për forma të komunikimit, me të cilat mund të zgjidhen konfliktet.
Më 2 dhjetor – dy ditë pas vrasjes së gruas shtatzënë – ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka lansuar të ashtuquajturën “Kurrikulë për trajnimin e profesionistëve për ofrimin e programeve për kryerësit e dhunës në familje në Republikën e Kosovës”.
Haxhiu ka thënë se ky është “hapi i parë institucional” përmes të cilit synohet që kryerësit e veprave penale të dhunës, të kenë trajtim psiko-social, përmes programeve adekuate gjatë vuajtjes së dënimit.
Në Kosovë, aktualisht, po zhvillohem “16 ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Baza Gjinore”, të organizuar nga ministria që udhëheq Haxhiu.
Në kuadër të kësaj nisme, në Prishtinë është hapur edhe një ekspozitë me disa emra të grave të vrara nga dhuna në familje.
Nga viti 2010, në Kosovë janë raportuar 50 gra të vrara nga familjarë të tyre – kryesisht bashkëshortët.
Roli i mendësisë patriarkale
Me gjithë specifikat e secilit rast të dhunës, Kelmendi thotë se në fenomenin e vrasjes së grave në Kosovë, nuk mund të përjashtohet roli i mendësisë patriarkale dhe “tendenca e dominimit dhe fuqisë që i jepet burrit në shoqëri”.
“Për shembull, që nga fëmijëria, rolet që u atribuohen burrave lidhen me pushtetin, vendimmarrjen e autoritetin, e në anën tjetër, rolet e grave lidhen me të qenët më të buta, që nuk kanë të drejtë vendimmarrjeje për çështje të rëndësishme”, thotë Kelmendi.
Duke u nisur nga kjo ndarje strikte e roleve gjinore në familje, siç thotë ajo, krijohet dhe mbahet një lloj pabarazie mes dy gjinive.
“Në momentin që, për shembull, gratë dalin prej atyre roleve tradicionale gjinore, atëherë burrat fillojnë ta përjetojnë atë si kërcënim ndaj maskulinitetit të tyre, ose ndaj rolit tradicional gjinor. Dhe si rezultat i kësaj, për ta mbrojtur pushtetin që e kanë pasur, ka gjasë që të jenë gjithashtu edhe ushtrues të dhunës”, thotë Kelmendi.
Në vitin 2015, ajo ka publikuar edhe një artikull shkencor që studion dhunën ndaj grave.
Hulumtimi ka përfshirë intervista me 50 gra të rajoneve të ndryshme në Kosovë që kanë përjetuar dhunë nga partnerët e tyre.
Gjetjet e këtij studimi kanë sugjeruar se “struktura patriarkale që e udhëheq shoqërinë kosovare, mund të konsiderohet si faktor që e promovon dhunën ndaj grave”.
“Rolet gjinore të definuara në mënyrë strikte, që e vendosin autoritetin te burrat dhe i nënshtrojnë gratë, i bëjnë gratë edhe më të ndjeshme ndaj dhunës”, është thënë në konkluzionet e studimit.
Për largimin e mendësisë patriarkale dhe, rrjedhimisht, uljen e gjasave për dhunë ndaj grave, sipas Kelmendit, kërkohet punë sistematike me fokus në sistemin e edukimit.
“Duhet të punojmë pothuajse në cilindo nivel, qoftë në nivelin individual, qoftë në nivelin e shkollës, të komunitetit ose shoqërisë”, thotë ajo.
Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës në Kosovë, thotë se mendësia që gruan e konsideron pronë të burrit, “çon edhe në vrasje”.
“Fatkeqësisht, gruaja po bëhet si pronë private e një individi, i cili pamëshirshëm, në formën më brutale të mundshme, ia merr jetën gruas”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Sipas saj, “përgjegjësinë për rastet e dhunës dhe të vrasjeve nuk e ka vetëm kryerësi i veprës, por të gjithë mekanizmat që duhet të ofrojnë siguri”.
Ministrja e Drejtësisë, Haxhiu, ka pranuar se rasti i vrasjes së gruas shtatzënë është pasojë e “papërgjegjësisë institucionale”.
Kjo, pasi autoritetet kanë konfirmuar se gruaja, tashmë e ndjerë, e ka raportuar dhunën në polici dhe ka pasur urdhër nga gjykata për mbrojtje.
Haxhiu ka paralajmëruar se do të ketë dorëheqje dhe shkarkime të zyrtarëve policorë “sapo të verifikohet dështimi institucional”. Por, deri më tash, nuk ka pasur të tilla.
Nga të dhënat e Policisë së Kosovës, dërguar Radios Evropa e Lirë, del se rastet e dhunës në Kosovë janë në rritje viteve të fundit.
Gjatë periudhës janar-tetor 2022 janë regjistruar 2.273 raste të dhunës në familje, ndërsa gjatë gjithë vitit 2021 janë raportuar 2.456 raste dhe më 2020 – 2.069 raste.
Deri më tash gjatë vitit 2022, në Kosovë janë raportuar tri gra të vrara./REL
Të tjera
-
32 vjeçari nga Kosova vdes në një aksident në Suedi
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Suedi. Si pasojë e një aksidenti ka vdek...
-
Presidenca thotë se kanë konfirmim nga Uashingtoni se asnjë vendim i nënshkruar deri tash nga Trump s’e prek Kosovën
Vendimet e deritashme të presidentit amerikan Donald Trump nuk kanë ndikim ne...
-
Bedri Hamza: Kosova mundet ma mirë për të gjithë, 9 shkurti shans që nuk guxojmë ta humbim
Bedri Hamza ka mbajtur një takim sonte edhe me banorët e Gremës së Ferizajt. ...
-
Daut Haradinaj: Në secilën zonë të Kosovës, fryma e Kosovës fituese po ndjehet si kurrë më parë
Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), D...
-
Bolton: Serbia mund ta njohë Kosovën nën Administratën Trump
Rikthimi i Donald Trumpit në pushtet, qasja që do të ketë ndaj rajonit dhe Ko...
-
Ismaili: Qytetarët anekënd Kosovësvpo e përkrahin vizionin e Bedri Hamzës për zhvillimin e Kosovës
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), një herësh edhe kandidat ...
-
Memli Krasniqi në Prizren: PDK me energji dhe mbështetje të fuqishme drejt fitores
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, mori pjesë në taki...
-
Klan Kosova: Arsyet që çuan në prishjen e raporteve mes presidentes Osmani dhe ministres Gërvalla
Shpeshherë i doli në krah, e bëri ministre të Jashtme dhe ia dha bekimin që t...
-
Pagoi gati 7 mijë euro për një natë, Gërvalla nuk takohet me asnjë zyrtar amerikan
Është Ministre për Punë të Jashtme dhe Diasporë, por është ministrja e parë q...
-
Gjuha e Kurtit në tubime, Ismaili i PDK-së: Është model i gabuar
Gjuha e Kurtit në tubime, Ismaili i PDK-së: Është model i gabuar Nënkryeta...
-
Bedri Hamza premton mbështetje për gratë: Unë besoj në një Kosovë, ku gratë janë të lira t’i ndjekin ëndrrat e tyre
Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka mbajtur një tubim me gra...
-
Imri Ahmeti falenderon qytetarët e Gllogovcit dhe Konjuhit për mbështetje të jashtëzakonshme
Kryetari i Komunës së Lipjanit dhe kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes...