Lajme

Nobelisti Shechtman: Kërkoni ndihmë nga Izraeli për ta zhvilluar Kosovën

Autori: Gazeta inFokus 07:22 | 05 May 2023

Fituesi i Çmimit Nobel në Kimi, dr. Dan Shechtman nga Izraeli, ka mbajtur sot fjalim në Bibliotekën Kombëtare, me temën “Pse në universitetet kosovare studentët duhet të mësojnë për teknologjinë, si dhe pse fëmijët në kopsht duhet të mësojnë për shkencën”.

Për dy orë, ai tregoi për përvojat e tij në fushën e arsimit dhe pikëpamjet se si arsimi dhe ndërmarrësia janë dy faktorët kryesorë të zhvillimit të shtetit.

Shechtman tha se universitetet duhet të fokusohen në krijimin e programeve dhe kushteve për teknologji dhe ndërmarrësi, pasi njerëzit e këtyre profileve mund të jenë shumë dobiprurës për ekonominë vendore, duke qenë se në të ardhmen, nga këta persona, krijohen shumë vende pune, me ç’rast përfiton shteti, raporton Klan Kosova.

-Advertisement-

Gjithashtu, ai tha se duhet të vihet në konsideratë fillimi i aplikimit të programeve shkencore për fëmijët në kopshte parashkollore, përmes ndërtimit të laboratorëve të posaçëm për këto mosha.

Mbi të gjitha, profesori nobelist theksoi rëndësinë e mësimdhënësve në një shtet, duke sugjeruar që Kosova duhet t’i dërgojë studentët e edukimit jashtë vendit për t’u shkolluar, e më pas të njëjtit të kthehen që ta zhvillojnë fushën e arsimit. Ai madje tha se Izraeli mund ta ndihmojë Kosovën në këtë sferë.

“Izraeli është i gatshëm të bashkëpunoje me secilin shtet në botë, në fusha të ndryshme. Krejt çka duhet të bëni është të flisni me ministrat tanë, mund ta bëni qysh tani, t’i thoni se duam ta zhvillojmë sistemin e edukimit, ose duam ta zhvillojmë sistemin e ndërmarrësisë, çka qeveria duhet të bëjë që të na ndihmojë ta zhvillojmë shtetin? Ne jemi me përvojë në këtë, dhe ne me kënaqësi do ta bënim”, tha ai në një prononcim për Klan Kosova.

Po ashtu, Shechtman tregoi se si Kosova duhet të zhvillojë politika që të mos ikin qytetarët nga vendi.

“Nuk mund t’i detyroni njerëzit të qëndrojnë këtu, duhet t’u krijoni kushte që ata duan të kthehen. Dhe jam i sigurt se njerëzit në Kosovë duan të jetojnë këtu, por duan standard më të lartë jetese, shërbime të mira, edukim të mirë. Nuk mund ta bëni për një ditë, merr kohë. Por baza është arsimi. Nëse krijoni numër të mirë të njerëzve të shkolluar, ata do ta ndërtojnë ekonominë, merr kohë po ata do ta ndërtojnë dhe dikur në të ardhmen, njerëzit kthehen. Pse? Sepse keni vende pune për ta, dhe kjo është pse arsimi dhe ndërmarrësia janë çelës për zhvillimin e Kosovës, dhe për këtë arsye unë e mbajta këtë ligjëratë sot”, tha ai.

Sipas tij, Kosova fillimisht duhet të fillojë ta praktikojë ndarjen e çmimeve kombëtare për shkencëtarët, teksa më vonë nuk e përjashton mundësinë që edhe ndonjë kosovar ta fitojë Nobelin.

“Para Nobelit, unë i kam marrë rreth 15 çmime tjera, disa kombëtare disa ndërkombëtare, Nobeli është i fundit që mund ta marrësh, s’ka diçka pas tij. Shteti duhet të japë çmime kombëtare në shkencë, t’i organizojë ceremoni atyre, njerëzit pastaj i shohin ato dhe thonë, sa bukur, ka shumë shkencëtarë të mirë, edhe unë do t’i shkolloj fëmijët që të bëhen si ata. Kosova duhet të fillojë të ketë çmime ndërkombëtare në shkencë, Nobeli vjen pastaj”, tha Shechtman.

Në ngjarje mori pjesë edhe ambasadorja e Izraelit në Kosova, Tamar Ziv, dhe konsulli i nderit i Republikës së Kosovës në Austri, David Ungar Klein, që e mundësoi vizitën e nobelistit në Prishtinë.

Dan Shechtman iu dha çmimi Nobel në Kimi për zbulimin e kuazikristaleve, duke e bërë atë një nga gjashtë izraelitët që e kanë fituar këtë çmim në këtë shkencë. I njëjti do të qëndrojë katër ditë në Kosovë, ku do të ketë aktivitete tjera me rëndësi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Studente dhe prind, Medina Berisha tregon për rrugëtimin e saj akademik në UNI- Universum International College, fuqizuar nga Arizona State…
-Advertisement-

Të tjera