Lajme

N’Konak: Kryebashkiaku Veliaj kritikon politikanët kosovar që fusin hundët në punët lokale të Tiranës

Autori: Gazeta inFokus 21:11 | 12 July 2020

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, si mysafir në emisionin N’Konak me Kosovë Gjocin, pos për shumë punë e projekte, ka folur edhe për rrëzimin e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e ndërtesës së re për këtë institucion kulturor.

Me këtë rast, ai iu është përgjigjur edhe kritikave që erdhën nga Kosova lidhur me këtë projekt, sidomos politikanëve këndej kufirit të cilët kritikuan vendimin e tij për rrënimin e teatrit të vjetër, duke e cilësuar këtë si jo etike dhe të panevojshme.

“I kam dëgjuar komentet në Kosovë, edhe politikanët që futen në punë lokale të Tiranës. Unë kurrë nuk e bëj një gjë të tillë. Nuk është detyrë e imja që t’iu tergoj kryetarëve të komunave në Kosovë se si ta bëjnë punën e tyre. As nuk është puna ime, as nuk më duket etike, as nuk e kam atë ambicie që të fus hundët dhe unë them që për sa kohë që është zgjedhur Shpendi duhet të vendosi Shpendi sepse ai ka dal përpara popullit dhe përpara këtij populli këtu kam dalë unë dhe iu kam thënë nëse më votoni mua unë do të bëjë këtë teater të ri tek vendi ku është teatri i vjetër. Pse? Sepse prej 80 vitesh ai kurrë nuk ishte monument kulture. Si ka mundësi që asnjë nga trupat teatral nga Kosova nuk erdhi të luaj aty. Aty në tri vitet e fundit nuk ka pas asnjë aktivitet. Trupat ndërkombëtare nuk kanë ardhur sepse ai vend ka qenë i pasigurt”, ka thënë Veliaj për N’Konak.

-Advertisement-

Tutje, ai ka një pyetje për të gjithë kritikët në Kosovë sa i përket rrënimit të teatrit të vjetër dhe projektit për të riun.

“Pyetja që lind dhe përgjigja që duhet të ipet nga shumë kritikë në Kosovë është se si ka mundësi që për 80 vjet as qeveria fashiste as naziste as komuniste as qeveritë demokratike kurrë nuk e aprovuan si monument kulture dhe në asnjë regjim kurrë nuk e kaloj këtë test”, ka shtuar kryebashkiaku i kryeqendrës shqiptare.

Veliaj ka thënë se pavarësisht kritikave e kundërshtimeve, e ardhmja do të jetë ajo që do të jap përgjigjen e saktë nëse vendimi i tij ishte i drejt dhe se teatri i ri do të bëhet.

“Vërtetë ne nuk e detyrojmë atë aktorin e fundit të bjeri dakord me ne, por as ai nuk detyron dot 99 të tjerë dhe të bllokoj gjithçka vetëm se një personi nuk i pëlqen për arsye të caktuara një projekt, jeta duhet të vazhdoj”, ka thënë kreu i Tiranës.

Sipas tij, fëmijët dhe publiku shqiptar meritojnë dhe duhet t’i shijojnë shfaqjet e aktivitetet në teatër pa pasur nevojë që sa herë të nisen për atje të marrin me vete batanije se ndryshe do mërdhijnë së ftohti

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera