Lajme

Një zëvendësministër bëhet asistent i rektorit Bajram Kosumi

Autori: Gazeta inFokus 20:44 | 01 February 2019

Zëvendësministri në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Abdulselam Shkodra është angazhuar si asistent i jashtëm në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka”, pa konkurruar, përcjell inFokus.

Shkodra i cili dyshohet se është mik i afërt i rektorit të Universitetit të Gjilanit,Bajram Kosumi, është bërë asistent i tij në lëndën “Metodologjia e kërkimit shkencor” dhe në lëndën “Shteti modern dhe Qeverisja Lokale” ku profesor është Zemri Elezi.

Në konkursin e shpallur më 14 shtator të vitit 2018, kërkohej një asistent në lëndën “Metodologjia e kërkimit shkencor”, mirëpo ne dokumentet të cilat i posedon Gazeta Insajderi, emri i zëvendësministrit Shkodra nuk gjendet në listën e kandidatëve të pranuar në këtë universitet.

-Advertisement-

Ndërsa për lëndën, “Shteti modern dhe Qeverisja Lokale” nuk ka pasur konkurs fare. Pavarsisht kësaj, zv/ministri është punësuar si asistent, shkruan Gazeta Insajderi.

Bajram Kosumi për punësimin pa konkurs të Shkodrës ka thënë se nuk e di se si është punësuar asistenti i tij.

Madje Kosumi ka mbyllur telefonin kur është pyetur sesi ka mundësi që nuk e di se si është punësuar zëvendësministri Shkodra.

“Nuk mundem me ditë qysh është punësuar sepse zakonisht ka procedura qysh punësohen. Nuk e di sepse unë jam rektor, pe përfundojmë bisedën këtu”, ka thënë Kosumi dhe ka mbyllur telefonin.

Kosumi ndër tjera ka thënë se emrat e asistentëve të angazhuar nuk publikohen në ueb faqen e universitetit. Ai është shprehur se për këto çështje duhet pyetur menaxhmentin e universitetit.

Ndërsa menaxhmenti i Universiteti ka thënë se Shkodra është angazhuar në bazë të statutit të Universitetit.

“Abdylselami Shkodra është asistent i angazhuar ne UKZ, ai në këto lëndë që ju keni cekur është angazhuar në bazë të Statutit të Universitetit, NENI 28, paragrafi 1 nënparagrafi 1.5 ku Rektorit i njihet e drejta për të punësuar”, thuhet në përgjigjen e universitetit.

“Z. Shkodra nuk është i punësuar si staf i rregullt i UKZ-se, por vetëm i angazhuar për një kohë të caktuar, derisa për këto lënde të shpallet konkurs i rregullt”, thuhet ndër tjera në përgjigjen e Universitetit të “Kadri Zeka”.

Kurse në rregulloren mbi procedurat e angazhimit të bashkëpunëtorëve të jashtëm me honorar në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, në Gjilan, në nenin e katërt thuhet se “procedurat e angazhimit bëhen në mënyrë transparente nëpërmjet shpalljes së konkursit publik”.

Insajderin ka kontaktuar edhe me zëvendësministrin Shkodra mirëpo ai ka thënë se është jashtë vendit dhe nuk mundet të përgjigjet.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera