Lajme

“Një shpi budallë”, “E ke prit në zyrë Radojiçiqin”: Si erdhën Kurti e Haradinaj tek cakrrimi i gotave me raki?

Autori: Gazeta inFokus 16:52 | 24 March 2023

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ish-kryeministri e kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj duket se i kanë rehabilituar raportet e tensionuara mes tyre dhe arsyet për këtë, janë ende të paqarta.

Sot, kur në Gllogjan, fshatin e lindjes së Haradinajt u shënua Epopeja e Dukagjinit, Kurti e nderoi me fjalë të mëdha Haradinajn, duke e quajtur “zotëri”, e që u përcoll me duartrokitje. Por, jo vetëm kaq. Kurti e Haradinaj “cakrruan” gotat e rakisë dhe mes tyre u pa një afërsi e cila nuk ishte parë që nga blloku i VLAN-it, shkruan Paparaci.

Por, nuk ka kaluar shumë kohë, prej kur Kurti e Haradinaj nuk kurseheshin fare në akuza ndaj njëri-tjetrit, që shpesh shkonin deri në kufijtë e sharjes e ofendimit.

-Advertisement-

Rreth 1 vit më parë, kur në Kuvendin e Kosovës po diskutohej për çështjen e tensioneve në veri si pasojë e intervenimit të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës rreth çështjes së targave, Kurti e Haradinaj patën një përplasje mes tyre.

Kurti në atë debat, ia përmendi Haradinajt vizitën e Milan Radojiçiqit në zyrën e tij, në kohën kur Haaradinaj ishte kryeministër.

“Asnjë barrikadë nuk ka në Veri, a ka shumë punë e sfida? Po, se janë të trashëguara, por një nga një dhe krejt do t’i zgjidhim. Veriu ka qenë i rrezikuar atëherë kur Haradinaj e priste në zyrë kriminelin Radoiçiq, atëherë ka qenë i rrezikuar, nuk e rrezikon veriun policia, veriun e rrezikojnë kriminelët dhe bashkëpunimi i tyre me politikanë të të gjitha ngjyrave, dhe kjo ka ndodh në korrik të vitit 2018”, tha Kurti.

Në vitin 2021, më saktësisht më 19 tetor, Kurti e kishte akuzuar Haradinajn se ka blerë tokë të shtetit me shuma simbolike dhe kjo ishte pasuar me një përplasje mes dy politikanëve.

“Mashtrues profesionist”, e kishte quajtur Kurtin, ish-kryeministri Haradinaj në një debat parlamentar për dialogun, madje ai e quante “tekniku i Kurtit”, zëvendëskryeministrin Bislimi.

Por, Haradinaj kishte qenë edhe më i ashpër me Kurtin. Në një debat televiziv në T7, Kurti kishte thënë se qeveria e Lëvizjes Vetëvendosje janë “një shpi budallë”.

“Vërtetë kemi të bëjmë me një shtëpi budallë në VV e Qeveri që nuk e kuptojnë përgjegjësinë e tyre”, kishte deklaruar Haradinaj teksa diskutonte për mënyrën e Qeverisjes së Kurtit dhe LVV-së.

Haradinaj kishte qenë edhe më i ashpër në një paraqitje televizive kur u shpreh se “Kurti ka kimi serbe.”.

“Kimia përbërja e tij si person është pak serbe, tash po ju tregoj pse. Për shembull, në Serbi mund të ketë edhe nobelista si dikur Tesla që është edhe kroat edhe të tjerë, por nëse e marrim reciprocitetin që ky thotë nganjëherë kur është një kryeministër i Serbisë që e ka lartësuar një figurë kombëtare të Kosovës, a Ibrahim Rugovën a Fehmi Aganin a dikënd. Pra shihet që Kurti është në një mënyrë si kimi serbe e botës serbe. Kryeministri i Kosovës me elaboru një ish –kryeministër serb pse… vetëm e ka një kimi me ta e ka një lidhje me atë botë, me atë jetë edhe i ndikon me dhonë shpjegim ose elaborim për Gjingjiqin, në anglisht i thonë What the hell”, tha ai.

Këto janë vetëm disa nga përplasjet me të freskëta midis Kurtit e Haradinajt. Por, çfarë bëri të ndryshojë diskursi?

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka dalë publikisht në përkrahje të Propozimit Evropian, të cilin Kurti e pranoi në Bruksel dhe në Ohër, derisa aktualisht është çështja për të cilën kryeministri i Kosovës kritikohet më së shumti.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është subjekti opozitar më së paku kritik, për të mos thënë fare kritik ndaj qeverisë Kurti lidhur me çështjen e marrëveshjes me Serbinë, brenda së cilës është edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Ende është e paqartë se çfarë realisht e ndryshoi raportin mes Kurtit e Haradinajt që arriti deri te cakrrimi i gotave, por ajo që është evidente ka të bëjë me përkrahjen që Haradinaj po i jep në çështjen e dialogut të parit të ekzekutivit.

Lidhur me afrimin e pozicioneve të Kurtit dhe Haradinajt, Asdren Shala i Partisë Socialdemokrate të Kosovës kishte deklaruar se Ramush Haradinaj mund të jetë presidenti i ardhshëm i Kosovës.

“Ajo (Vjosa Osmani) mendon dhe ka një garë, mendon se ka me qenë presidente prapë në të ardhmen, e lyp edhe mandatin e dytë dhe këtë mandatin e dytë kanë dalë kandidatë të ri, që po ia bëjnë argatin Kurtit e që është shumë keq për Kosovën, Ramush Haradinaj. Ai të marrëveshja e planit franko-gjerman, thoshte e kam parë njohjen zyrtare de fakto, ai kurgjo s’ka parë aty e ka parë vetëm tepihun e kuq që ia pati shtruar dikur Hashim Thaçi”, ka deklaruar ai në emisionin “Ditari” në Tëvë1.

Se çfarë do të rrjedh nga ky afrim i Kurtit dhe Haradinajt mbetet të shihet, por është evidente se dy politikanët i kanë zbutur e rehabilituar tensionet mes tyre.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik

Të tjera