Lajme

Një proces i ri gjyqësor për rrëmbimin e biznesmenit nga njerëzit e afërm të Kryeministrit

Autori: Gazeta inFokus 15:08 | 01 February 2018

Prokuroria Themelore e Gjilanit po e ndjek penalisht një shok të afërm të Bedri Krasniqit për pjesëmarrjen në kidnapimin e biznesmenit, Azem Morina.

Besim Tahiri, i njohur si “Qeqeni”, akuzohet se mbajti biznesmenin Morina për tri net rresht në vilën e tij. Tahiri ka mbajtur në të kaluarën tetë vjet burgim për vepër penale të haraçit. Ai është shfaqur në disa ndeja në krah të deputetit, Daut Haradinaj.

Një procedurë e veçantë gjyqësore po zhvillohet në Gjilan për kidnapimin e biznesmenit nga Klina, Azem Morina.

-Advertisement-

Besim Tahiri, i njohur si “Qeqeni”, po gjykohet nën akuzën se ka ndihmuar një grup kriminal në krye me Bedri Krasniqin dhe dy ish-truproja të kryeministrit Ramush Haradinaj, në kidnapimin e biznesmenit Morina.

Dy nga 41 ditët që është mbajtur i kidnapuar, pronari i kompanisë Gllareva ishte dërguar në vilën malore të “Qeqenit” në Dobërqan të Gjilanit. Lirimi i tij kishte ndodhur pasi djali i viktimës, Bujar Morina kishte paguar 230 mijë euro haraç në këmbim të jetës së të atit.

Kidnapuesit kishin kërkuar 3 milionë euro.

“Qeqeni” i dënuar më herët mbi tetë vjet për kërcënim dhe haraç, është shfaqur në disa ndeja në krah të deputetit Daut Haradinaj. Fotografitë e tyre të përbashkëta janë shpërndarë në “Facebook”.

Lidhjet e kryeministrit Ramush Haradinaj dhe vëllait të tij Dautit me Bedri Krasniqin dhe të tjerët janë të shumta. Grupi i udhëhequr prej Bedri Krasniqit kishte në përbërje edhe dy truproja të Ramush Haradinajt – Himë Krasniqin dhe Selman Gashin, tashmë të dënuar me më shumë se 20 vjet burgim.

Gjykimi i këtij grupi ishte mbajtur në Burgun e Dubravës për shkak të rrezikshmërisë së tyre. Gjykata kishte shqiptuar 87 vjet e gjysmë burgim dhe gjobë në vlerë 1,130,000 euro.

Bedri Krasniqi ishte dënuar më 17 vjet burgim dhe gjobë prej 200.000 euro.

Dervish Idrizaj, më 13 vjet burgim dhe 180.000 euro gjobë.

Ahmet Neziraj, më 15 vjet burgim dhe 150.000 euro gjobë.

Hamdi Krasniqi ishte dënuar me 12 vjet burgim dhe 150.000 euro gjobë.

Ilmi Lufaj ishte dënuar me 10 vjet burgim dhe 150.000 euro gjobë.

Himë Krasniqi – truprojë i Ramush Haradinajt në kohën e rrëmbimit të Azem Morinës, ishte dënuar me 10 vjet e 6 muaj burgim dhe 150.000 euro gjobë.

Dhe truproja tjetër i Haradinajt, Selman Gashi, ishte dënuar me 10 vjet burgim dhe 150.000 euro gjobë.

I akuzuari i fundit për pjesëmarrjen në një krim të lidhur me haraçin financiar, ka mohuar ta ketë kryer veprën. Ndërkohë ka shpjeguar lidhjet me Bedri Krasniqin. Ka thënë se me të është shoqëruar në Burgun e Dubravës gjatë tetë vjetëve të vuajtjes së dënimit për një krim tjetër të haraçit.

Nga ana tjetër, Prokuroria thotë se Besim Tahiri, i dënuar më parë për veprën penale ‘detyrim’ dhe ‘kanosje’, ka kryer veprën penale duke ndihmuar rrëmbyesit e biznesmenit Morina.

“Nga data 24 tetor 2010, deri më 26 tetor 2010 në periferi të fshatit Dobërqan me qëllim që vetit t’i sjell përfitim të kundërligjshëm ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale të rrëmbimit të personit, përkatësisht të dëmtuarin Azem Morina nga fshati Gllarevë i cili më 21 shtator 2010 ishte rrëmbyer nën përdorimin e armës AK 47 nga i dënuari Bedri Krasniqi etj., të cilët e kishin mbajtur të mbyllur për disa kohë në lokacione të ndryshme…”, thuhet në aktakuzë.

“Pas tridhjetë ditësh, i pandehuri Besim Tahiri bashkë me njërin nga të pandehurit tjerë të veshur me uniforma të zeza me një automjet ngjyrë të kuqe të markës deri tani të paidentifikuar, e sjellin të dënuarin në shtëpinë-vilën e tij të posandërtuar në periferi të fshatit Dobërqan, në një vend malor”, vazhdon më tej aktakuza.

Sipas Prokurorisë, aty Besim Tahiri me sjellje dhe veprime të vrazhda e mban të mbyllur për dy ditë e tri net. Më vonë Morina ishte dërguar në lokacion tjetër dhe ishte mbajtur deri më datën 30 tetor 2010, ditën kur djali i viktimës, Bujar Morina, kishte paguar 230 mijë euro si kusht për lirimin e të atit.

“Pas pranimit të të hollave personat e sjellin të dëmtuarin Azem Morina dhe e lënë në periferi të Prishtinës. Me këtë veprim ka kryer veprën penale ndihma në kryerjen e veprës penale të rrëmbimit të personit”, shkruan në aktakuzë.

Historia e rrëmbimit, mbajtjes peng të Azem Morinës dhe marrëveshjes për pagesën e haraçit, ishte trishtuese.

Djali i tij Bujari, që ishte në komunikim me rrëmbyesit, ishte pajtuar që për jetën e të atit të paguante me këste. 350 mijë euro do t’i kushtonte kësti i parë që do t’ua paguante rrëmbyesve për ta nxjerrë të gjallë të atin 71 vjeçar. E vit për vit do të duhej t’i paguante nga 200 mijë euro derisa shuma të arrinte në tre milionë.

Grupi kishte arritur të merrte vetëm 230 mijë euro.

Gjysmë ore pas rrëmbimit, Azem Morina i kishte telefonuar të birit.

“Unë jam shëndosh e mirë. Këta (rrëmbyesit v.j.) po i kërkojnë 3 milionë euro dhe të mos e lajmërosh policinë”, i kishte thënë i ati nëpërmjet telefonit, i cili ndodhej në atë moment në fshatin Baran të Pejës ku ishte dërguar nga rrëmbyesit i futur në bagazhin e një veture.

Babai i Bujarit, Azemi, që drejton një biznes fitimprurës, në Klinë, kryesisht prodhues, ishte rrëmbyer mëngjesin e 21 shtator të vitit 2010. Pas rreth 40 ditësh ishte liruar pas rënies së policisë në gjurmët e rrëmbyesve dhe pagesës së 230 mijë eurove nga ana e Bujarit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine
-Advertisement-

Të tjera