Lajme

Një muaj paraburgim për burrin që dyshohet se tentoi ta vrạs bashkëshorten e tij në Fushë Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 15:16 | 07 August 2024

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesë për caktimin e masës së sigurisë ndaj burrit që dyshohet se plagosi me armë zjarri bashkëshorten e tij mëngjesin e djeshëm në Bresje të Fushë Kosovës.

Zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi, tha për Gazetën Online Reporteri.net se të dyshuarit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

Ndërsa për të arrestuarin e dytë, Gjykata nuk ka pranuar ende kërkesë për caktimin e masës së sigurisë.

-Advertisement-

Krejt çka dihet për rastin?

Mëngjesin e së martës një grua ka mbetur e plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri. E këmbëzën e armës dyshohet se e shkrepi bashkëshorti i saj, i cili kishte vetëm pak orë që ishte liruar nga masa e ndalimit policor.

I dyshuari më 2 gusht ishte arrestuar, pasi ishte denoncuar për dhunë në familje.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes një komunikate për media, të martën njoftoi se fillimisht kishte parashtruar kërkesë për caktimin e paraburgimit, por në seancën fillestare ndaj të dyshuarit, ishte marrë parasysh gjendja shëndetësore e të dyshuarit dhe ndaj të njëjtit më pas ishte propozuar që t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak. Por kjo ishte refuzuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Dega në Fushë Kosovë.

Gjyqtari i procedurës paraprake kishte marrë vendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo viktimës së rastit.

I dyshuari tashmë po hetohet për veprat penale ‘Vrasje e rëndë në tentativë’, ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’ dhe ‘Mospërfillje e Gjykatës’.

Përveç bashkëshortit të viktimës, është arrestuar edhe një person tjetër.

Përmes raportit 24 orësh, Policia njofton se i arrestuari i dytë dyshohet se ka marrë armën që dyshohet se u përdor në rast, për ta larguar nga vendi i ngjarjes.

Arma më pas është sekuestruar bashkë me tre fishekë dhe me tri gëzhoja, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

Gjendja shëndetësore e viktimës

Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Torakale në QKUK, Nazmi Kolgeci, ka njoftuar se gruaja që dyshohet se u plagos nga bashkëshorti i saj dje në Bresje të Fushë Kosovës, i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

Kolgeci tha për Gazetën Online Reporteri.net se gjendja e viktimës është stabile, teksa ka bërë me dije se lëndimet i ka pasur në krahun e majtë, kokë dhe bark.

Gjendja është stabile. Dje është bë drenazha torakale, një intervenim i vogël kirurgjik, që ka qenë i nevojshëm dhe mandej ajo është transferuar në klinikën tonë për trajtim më të mëtutjeshëm.  Lëndimet i ka pasur në krahun e majtë, që është lëndim më i vogël, në kokë, në bark. Por, ajo që është më e rëndë ka qenë në regjionin e toraksit të majtë. Nuk besoj që kemi nevojë për intervenime të tjera. Gjendja është stabile dhe duke u bazu në përvojën tonë me pacientët tjerë, unë besoj që kjo paciente ka me kalu mirë”, ka thënë Kolgeci.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik
-Advertisement-

Të tjera