Opinione

Një dramë gjermane me një të zemëruar që s’vjen në Prishtinë dhe një burrë me “flokë në fytyrë”

Autori: Gazeta inFokus 10:52 | 24 February 2018

Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, është politikani më i popullarizuar në Gjermani. Por shefi i partisë së tij, Martin Schulz, dëshironte t’ia zinte vendin në qeverinë e re të kancelares Angela Merkel. Kështu dy burra fillojnë të grinden për një post. Në fund të dy rrezikojnë të mbesin duarthatë. Dhe për shkak të kësaj fjalosjeje kryediplomati Gabriel anulon disa terminë – mes tyre edhe vizitën në Prishtinë. Pastaj citon vajzën e tij 3-vjeçare. Një rrëmujë të tillë politike Gjermania nuk e ka parë moti.

Kur dy politikanë thonë publikisht se janë miq, këtë duhet marrë me rezervë. Sigmar Gabriel dhe Martin Schulz shpesh kanë deklaruar se janë miq. Schulz ka qenë kryetar i Parlamentit Evropian, Gabriel kryetar i Partisë Socialdemokrate (SPD) të Gjermanisë. Dy shokë. Të vërtetë. Në fillim të vitit 2017 Gabriel hoqi dorë nga posti i kryetarit të partisë dhe nga ambicia për të qenë kandidat i SPD-së për kancelar të Gjermanisë. Me gjasë Gabriel nuk besonte se do ta mposhtte kancelaren Angela Merkel. Për ta sfiduar sfinksin konservator socialdemokratët angazhuan Martin Schulzin. Mandati i tij si shef i Parlamentit Evropian po mbaronte dhe ai u kthye në Berlin pas një përvoje të gjatë në Bruksel dhe Strasburg. Atje ishte ballafaquar me populistë si Silvio Berluconi, i cili me një rast i kishte thënë Schulzit se do t’i shkonte për shtat roli i rojtarit në një kamp përqendrimi, dhe me intrigantë politikë dhe të korruptuar si europarlamentari rumun Adrian Severin, i cili gjatë krizave politike në Shqipëri madje ishte angazhuar si ndërmjetësues.

Schulz u zgjodh kryetar i SPD-së në mars 2017 me 100 për qind të votave. Përkrahje të tillë nuk kishte marrë asnjë kandidat në historinë e lavdishme të socialdemokratëve gjermanë. Njëkohësisht Schulz u emërua kandidat për kancelar të Gjermanisë. Vendin e përfshiu një eufori, SPD-ja në anketa dilte para CDU-së konservatore të Merkelit. Siç ndodh zakonisht me euforitë: ato nuk zgjasin shumë. Socialdemokratët humbën zgjedhjet në disa lande. Dhe dyshimet ndaj Schulzit filluan të rriteshin, por tashmë ishte vonë për të ndërruar kandidatin për kancelar. Sepse, siç thuhet, s’ndërrohet kali në mes të betejës. Në gusht Schulz tha se në zgjedhjet parlamentare të 24 shtatorit Angela Merkel do të pësonte disfatë – dhe “më 25 shtator kancelari i ri federal do të quhet Martin Schulz”. Ishte një përpjekje për ta inkurajuar veten. Më 3 shtator Schulz u ballafaqua me kancelaren Merkel në një debat televiziv. Ai u përpoq të jetë agresiv, të sulmojë, të godasë me ton polemik, ndërsa Merkel si Merkel: me ftohtësinë e fizikanes ajo kundërpërgjigjej duke u bazuar në fakte, duke i matur fjalët, duke ua bërë me dije gjermaneve dhe gjermanëve se ajo është një menaxhere joemocionale e pushtetit në kohë të furtunave politike. Debatin televiziv e fitoi Merkel. Më 24 shtator Schulz dhe socialdemokratët e tij u fundosën me 20,5 për qind të votave, rezultati më i dobët i SPD-së pas Luftës së Dytë Botërore.

-Advertisement-

Po atë natë Schulz tha se SPD do të shkojë në opozitë, pastaj, në javët në vijim, ai nuk lodhej duke thënë se kurrë nuk do të bënte koalicion me “zonjën Merkel”, kurrë nuk do të pranonte të jetë pjesë e kabinetit të saj. Këto fjalë elektorati dhe opinioni në Gjermani nuk i harruan. Merkel nga ana e saj kishte thënë: “Po duket ashiqare se SPD nuk është e aftë të qeverisë në nivel federal”. Ditën e mirë. Merkel filloi të negociojë me liberalët (FDP) dhe me të gjelbrit për një koalicion të ri. Pas pesë javësh negociata liberalët u tërhoqën. Dhe Schulz filloi t’i hajë fjalët. Pas bisedave me presidentin Frank-Walter Steinmeier, SPD e shndërroi “jo-në” në “po”: tani ishte e gatshme të fliste me Merkelin për një koalicion të ri, eventual, natyrisht pa paragjykim të rezultatit të negociatave. Pastaj gjërat morën rrjedhën e vet. Një kongres i SPD-së e rizgjodhi Schulzin kryetar (kësaj radhe me 81,9 për qind) dhe votoi për fillimin e negociatave me CDU-në dhe më partinë e saj simotër nga Bavaria, CSU.

Pas tërheqjes nga kreu i partisë, Sigmar Gabriel ishte zgjedhur ministër i Jashtëm në kabinetin e Merkelit. Dhe në këtë pozitë ai filloi të ndihej mirë. Disa gazetarë gjermanë e quajnë Ministrinë e Jashtme sanatoriumin më të mirë të republikës, një oazë të “wellnessit”. Ministrat e jashtëm, siç e thotë edhe titulli, merren me punët e jashtme, nuk humbin kohë në moçalin e politikës së brendshme dhe kështu tradicionalisht janë mjaft të popullarizuar. Edhe Gabriel tani për tani është politikani më i popullarizuar në Gjermani. Dhe Gabriel nuk e ka fshehur kurrë se me shumë qejf do të vazhdonte të ishte shef i diplomacisë edhe në kabinetin e ardhshëm të Angela Merkelit. Por po aq e qartë ishte se postin e ministrit të Jashtëm e synonte edhe kryetari i SPD-së, Martin Schulz. Më 7 shkurt u bë e ditur se SPD, CDU dhe CSU ishin marrë vesh për një koalicion të ri. SPD arriti të marrë ministritë më të rëndësishme (të Jashtmen, Financat, të Punës dhe Çështjeve Sociale), por kjo s’ishte temë tashmë. Temë ishte ambicia e Schulzit për t’u bërë ministër i Jashtëm, gjë që e acaroi Sigmar Gabrielin, por edhe shumë anëtarë të SPD-së. Disa analistë kërkuan që Schulz së paku të mos hynte në kabinetin e Merkelit për shkak se disa herë ishte përbetuar se nuk do të bashkëqeveriste me CDU-në dhe “zonjën Merkel”. Schulz u bë sikur nuk po dëgjonte, mendoi se do t’i qetësonte zërat kritikë duke hequr dorë nga posti i kryetarit të partisë, të cilin tha se po ia linte Andrea Nahles, shefe e Grupit parlamentar të SPD-së në Bundestag. “Është e dukshme se zonja Nahles është më e re dhe më femërore se unë”, tha Schulz, duke u munduar që situatën e pakëndshme ta kalonte me humor. Por asgjë nuk ndihmoi.

Më 7 shkurt Gabriel kishte paralajmëruar një vizitë në Prishtinë. Ajo u anulua. I zemëruar, ministri i Jashtëm anuloi edhe terminë të tjerë. Të enjten, më 8 shkurt, Gabriel foli, jo, bërtiti për gazetat e rrjetit “Funke Mediengruppe”. Ai kishte mbetur tani pa punë. Për të s’ishte paraparë një post në qeveri. “Çfarë mbetet”, tha ai, “është vetëm keqardhja se sa mungon respekti në sjelljen me njëri-tjetrin te ne në SPD dhe sa pak vlerë ka fjala e dhënë”. Pastaj Gabriel e goditi Schulzin personalisht – dhe këtë e bëri në një mënyrë mjaft perverse, duke cituar vajzën e tij të vogël: “Mos u mërzit, babi, tani ti ke më shumë kohë për ne. Kjo është më mirë sesa me atë burrin me flokë në fytyrë”. Ai burri me “flokë në fytyrë” është Martin Schulzi me mjekër.

Drama politike gjermane nuk përfundoi këtu. Pas intervistës së Gabrielit presioni ndaj Schulzit u shtua. Kishte parashikime të analistëve se nëse Schulz insiston të bëhet patjetër ministër në kabinetin Merkel, atëherë anëtarët e SPD-së do ta hedhin poshtë koalicionin në një referendum brendapartiak që do të mbahet këtë muaj. Më 4 mars pritet të publikohen rezultatet e tij. Schulz e pa rrezikun. Dhe të premten tha se nuk do të bëhet ministër i Angela Merkelit. E ardhmja e tij politike është e paqartë, ndoshta me këtë episod edhe ka marrë fund karriera e tij politike. Para një viti ai u zgjodh me 100 për qind të votave shef i SPD-së, u bë kandidat për kancelar dhe tash, në shkurt 2018, është vetëm ish-kryetar i Parlamentit Evropian, ish-kryetar i SPD-së, ish-kandidat për kancelar, ish-kandidat për ministër të Jashtëm.

Po aq e paqartë është se ç’do të bëhet me Sigmar Gabrielin. Gjasat që ai të mbetet ministër i Jashtëm nuk janë shumë të mëdha, por gjithçka mund të ndodhë. Sidoqoftë, solidariteti i udhëheqësve të SPD-së me të nuk është aq i madh, njëri prej tyre në një intervistë televizive tha: “Gabriel ka qenë ministër i mirë i Jashtëm”. Duhet vërejtur theksimi “ka qenë”. Në mesin e analistëve konservatorë Gabriel kritikohet për “politikën dashamirëse” ndaj Vladimir Putinit, për skepticizmin ndaj sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë pas agresionit kundër Ukrainës, për shkak të refuzimit të kërkesës së NATO-s që dy për qind e prodhimit të brendshëm bruto të jepet për sektorin e mbrojtjes, dhe për shkak të pritjes së ministrit të Jashtëm turk në shtëpinë e tij private, ku e shërbeu me “çaj rusi”, ndërkohë që Turqia mban në burg disa shtetas gjermanë, mes tyre edhe korrespondentin e gazetës “Die Welt”, Denis Yücel.

Mes kandidatëve për ministër të Jashtëm përmendet edhe parlamentari socialdemokrat Niels Annen. Që nga viti 2014, Annen është zëdhënës për politikë të jashtme në Grupin parlamentar të SPD-së. Ndonëse SPD mbetet përkrahëse e Pavarësisë së Kosovës, megjithatë Annen në vitin 2008, pas shpalljes së Pavarësisë në Prishtinë, kishte thënë: “Në çështjen e Kosovës ka pasur vetëm vendime të këqija, pranimi (i Pavarësisë) ka qenë një nga këto”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera