Lajme

Niveli i pagave, ekspertët: Me pagën mesatare nuk mbulohen shpenzimet në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 23:00 | 12 October 2024

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar “Nivelin e Pagave në Kosovë” për vitin 2023. Ministri i Financave ka thënë se rritja e pagës mesatare bruto i demanton të gjithë që e mendojnë se nuk ka pasur rritje. Por, ekspertët e ekonomisë thonë se me këtë pagë mesatare nuk mund të mbulohen as për së afërmi shpenzimet e konsumatorit.

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar “Nivelin e Pagave në Kosovë” për vitin 2023. Sipas ASK-së, në vitin 2023, pagat mesatare bruto në Kosove ishin 570 euro, derisa në vitin 2022 ishin 521 euro, me një rritje prej 49 eurosh nga viti paraprak. Kurse, paga neto, në vitin 2023 ishte 506 euro, krahasuar me vitin 2022 që ishte 446 euro. Pra, një rritje prej 60 eurosh.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka komentuar statistikat e ASK-së.

-Advertisement-

Sipas tij, rritja e pagës mesatare bruto i demanton të gjithë që e mendojnë se nuk ka pasur rritje.

“Ajo çfarë vërehet është se: Paga mesatare bruto, për të gjithë të punësuarit në sektorin publik dhe privat, në 3 vitet e fundit është rritur për 104 euro, përderisa në qeverisjet e kaluara për 7 vite ishte rritur vetëm 94 euro. Rritja më e madhe e pagës mesatare ka ndodhur në vitet 2023 me 9.4% dhe 2022 me 7.6%, pra dy vitet e Qeverisë Kurti. Kjo demanton gjithë propagandën që kemi dëgjuar lart e poshtë nëpër studio televizive nga opozita, duke thënë se s’ka pasur rritje të pagave”, thekson ai.

Por, me këto shifra nuk pajtohet, njohësi i ekonomisë, Nazmi Zeqiri.

Ai vlerëson se rritja e pagës bruto, nuk i mbulon as për se afërmi shpenzimet e konsumatorit.

“Rritjen e pagave bruto asnjëherë nuk duhet ta shohim si tregues real i rritjes e fuqisë blerëse të konsumatorit. Krejt kjo për shkak të inflacionit të lartë në Kosovë në dy-tri vitet e fundit. Rritja e pagës bruto është aspekti nominal, por aspekti real është se çfarë mund të blejë konsumatori me atë page. Ne vitin 2022-2023, kemi kaluar në një inflacion dy shifror, kurse në kululativ për produkte bazë sikurse shporta e konsumatorit, kjo rritje e çmimeve ka kalu edhe mbi 50%”, tha ai.

Edhe njohësi tjetër i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, thotë se kalkulimet ekonomike më shumë janë shprehje të qëndrimeve politike se sa reale, duke theksuar se asnjëherë niveli i pagave nuk kalkulohet me standardin dhe pagën që i duhet për jetesë një familje.

“Një inflacion i viteve të fundit ka lënë gjurmë në Kosovë, ku e kemi rënie të fuqisë blerëse dhe ngitja të çmimeve enorme të produkteve esenciale dhe bazike. Duhet të këtë një lëvizje sa i përket rritjes së pagave. Asnjëherë nuk flitet për nivelin e pagës për një jetesë për një familje katër anëtarëshe që bazuar në rritje e çmimeve aktuale, duhet të jetë 1140 euro”, theksoi ai.

Sipas Agjencisë së Statistikave, te sektori publik vërehet një rritje e konsiderueshme  e pagës për rreth  18 % krahasuar me vitin paraprak, si rezultat i hyrjes në fuqi të Ligjit për pagat  në sektorin publik.

Niveli i pagave më të larta në Kosovë është te ndërmarrjet publike, ndërsa pagat më të ulëta janë në sektorin privat./RTK

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
A prishet cilësia e gjumit nëse pini kafe në mbrëmje?
-Advertisement-

Të tjera