Nishani: Ja pse nuk do votoj më 18 qershor
Autori: Gazeta inFokus 09:15 | 02 May 2017
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, deklaron se nuk do të votojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Në një intervistë për gazetarin Enkel Demi, në emisionin “Fol me mua” në RTSH, Nishani deklaroi se nëse opozita nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, nuk do të ketë një alternativë me të cilën shqiptarët të përzgjedhin mes tyre.
Presidenti Nishani deklaroi se nëse do të kemi zgjedhje vetëm me maxhorancën, pa pjesëmarrjen e opozitës, institucionet që do të dalin nuk do të kenë legjitimitet kushtetues.
Ju nuk munguat ta uronit Presidentin e zgjedhur, Ilir Meta. Pse donit ta evidentonit që ishit ndër të parët që e uruat?
Kjo është një praktikë në botën e civilizuar, është një kod institucional në kulturën perëndimore. Ishte një zgjedhje legjitime. Parlamenti shqiptar e kishte të gjithë legjitimitetin për të zgjedhur Presidentin e vendit, siç e zgjodhi. Përderisa ishte një zgjedhje legjitime dhe kushtetuese, unë mendoj se është një kod civil dhe njerëzor i Presidentit të urojë atë që do ta pasojë në detyrë.
Kjo zgjedhje, sipas jush, cilësisht është e mirë?
Zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës është një proces kushtetues, ligjor dhe normal. Se si do të jetë presidenca e Presidentit të ri, është herët sot ta vlerësojmë. Por unë mendoj se z. Meta, për shkak të eksperiencës së gjatë politike që ka, për shkak të maturisë që ka, por edhe falë eksperiencës në politikë, mendoj se do t’i ketë të gjitha shanset për të pasur një presidencë të suksesshme.
Do të jeni deputet në Parlamentin e Shqipërisë?
Nuk mund ta them, kjo varet nga rrethanat. Njeriu kurrë nuk duhet të thotë kurrë në politikë. Por unë mendoj që jeta parlamentare ka një dimension ndryshe, por ajo që unë nuk mund të pretendoj më është një tjetër post administrativ, sepse kur arrin atë të Presidentit të Republikës, nuk mund të pretendosh pozicione të tjera që në hierarki janë të tjera. Jeta parlamentare ka një dimension ndryshe, por nuk mund ta them se cila mund të jetë zgjedhja.
Meta deklaroi kur iku nga LSI se unë po largohem, por ma ruani teserën se unë do të vij ta marr prapë. Ju e keni dorëzuar teserën e partisë besoj? E keni në plan ta kërkoni?
Unë e kam dorëzuar teserën në kohën kur u bëra President. Nuk kam vendosur dhe nuk kam parashikuar ende asgjë. Do të qëndroj strikt në angazhimin dhe artikulimin tim në Presidencë.
Do të shkojë Presidenti më 18 qershor të votojë në zgjedhje?
Unë, përpara se të jem President i Republikës, jam qytetar. Si qytetar, kam parimet e mia, kam bindjet e mia, kam gjykimet e mia dhe një nga parimet kryesore janë ato që lidhen me lirinë. Jetësore në një sistem politik janë zgjedhjet, është liria. Votimet janë procedura, përmbajtja janë zgjedhjet. Në momentin që unë nuk kam alternativë për të zgjedhur, unë nuk mund të bëhem pjesë e një procesi normal procedure votimi. Votimi si procedurë është për të dhënë të drejtën e zgjedhjes. Nëse kemi vetëm një palë që ofron mundësinë e saj dhe nuk ke mundësi zgjedhjeje, unë si qytetar e kam shumë të vështirë që të shfrytëzoj procedurën e votimit, kur nuk kam mundësinë e zgjedhjes.
Në zgjedhje janë regjistruar 17 parti politike, që do të thotë se janë 17 alternativa?
Unë vërtet respektoj çdo parti dhe çdo individ, por ne e kemi provuar dhe le të themi që prova më e fundit ishin zgjedhjet vitit 2015. Para dy vitesh, partitë politike janë matur dhe janë vlerësuar. Në këto zgjedhje kishim alternativën e maxhorancës dhe atë të opozitës. Këtë çështjen e identifikimit e kanë zgjedhur qytetarët. Aktualisht deri në këto momente, në procedurën e votimit është vetëm një alternativë, nuk ka një alternativë të dytë. Ndaj unë do t’i respektoj parimet për të cilat u përpoqëm që të fitonim në vitin 1992, për të pasur mundësi zgjedhjeje.
Kjo do të thotë që ju nuk do të merrni pjesë në zgjedhje?
Nëse nuk ka mundësi për të zgjedhur, për çfarë duhet procedura? Unë shkoj për të kontribuar për fatet e vendit dhe fatet e vendit në një sistem demokratik jetësohen përmes alternativës dhe mundësisë së zgjedhjes. Në momentin që mungon alternativa, nuk ekziston mundësia për të zgjedhur, procedura do të bëhet e pavlefshme.
Ambasadori i SHBA-ve ka deklaruar se mospjesëmarrja e opozitës në zgjedhje është e rëndë, por edhe nëse ata nuk marrin pjesë, zgjedhjet do të jenë të pranueshme. Si e vlerësoni këtë?
Ajo është çështje e ambasadorit dhe unë nuk e komentoj. I respektoj për atë që ambasadorët përfaqësojnë. Por te kjo çështja e zgjedhjeve është Kushtetuta e vendit tim dhe është e drejta mbi gjithçka. Kushtetuta përcakton një sistem të drejtë pluralist. E drejta duhet të garantojë mundësinë e zgjedhjes.
Kështu si shtrohet, duket sikur opozitën e pengojnë të marrë pjesë në zgjedhje. Pra përse duhet që një votues i opozitës të pengohet të marrë pjesë në proces?
Unë nuk do të doja të merrja rolin e interpretuesit të opozitës. Por unë si qytetar, e kam kuptuar që opozita kërkon që qytetarët shqiptarë të mos jenë të shantazhuar, kërcënuar, intimiduar dhe të mos jenë të blerë gjatë fushatës dhe ditës së zgjedhjeve. Por që qytetarët të jenë të lirë. Nëse opozita kërkon përtej kësaj, unë nuk e kam kuptuar, dhe duhet ta shpjegojë opozita. Pra kërkon një liri që gjithsecili të dalë nga shtëpia, pa qenë i frikësuar, që i forti i lagjes të më thotë ku shkon ti dhe të ma fusë me shpullë surratit, që ta shohë gjithë lagjja dhe askush të mos dalë nga shtëpia. Që të fortët e lagjes të mos rrinë te qendra e votimit dhe të detyrojnë komisionerët se sa vota duhet të hedhin në kutinë e votimit. Dhe unë jam pro këtij realiteti, se duhet ta garantojmë këtë realitet. Nëse procesi evolon në mënyrë të njëanshme, atëherë Kushtetuta nuk u jep legjitimitet institucioneve që dalin në mënyrë të njëanshme.
Nëse këto institucione dalin pas zgjedhjeve të 18 qershorit, në të cilat opozitat nuk do të marrë pjesë, a janë ato të ligjshme?
Kushtetuta nuk u jep legjitimitet. Nëse ne do të kemi zgjedhje vetëm me maxhorancën, por pa opozitën, institucionet që do të dalin nuk do të kenë legjitimitet kushtetues.
Kryeministri Rama ju akuzon juve se jeni i njëanshëm?
Kjo ka qenë dhe do të mbetet retorikë. Kryeministri e ka artikuluar në mënyrë konstante këtë akuzë. Por ajo vazhdon të mbetet retorikë. Por kur vijmë në raportet e ballafaqimit me opinionin publik, kushdo që bën një artikulim apo një akuzë, duhet ta mbështesë në një fakt të vetëm. Nëse kryetari i qeverisë dhe kushdo që e përcjell këtë akuzë politike që Presidenti ka qenë i njëanshëm, duhet të japë një fakt, jo dy. Nëse japin vetëm një fakt dhe një rast kur Presidenti i ka shërbyer opozitës, unë kërkoj falje publike.
Të tjera
-
“Ka qenë i veçantë, një djalë i sjellshëm, i urtë, me të gjitha notat 5-she, ato që i premton edhe i realizon”, profesor Xhaferi vlerëson lart nxënësin e tij Bedri Hamzën
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij,...
-
Bejta falënderon stafin e Komunës së Prishtinës për punën e palodhshme: Viti tjetër, edhe me më shumë suksese
Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta, ka publikuar disa fotografi n...
-
Pasaporta e Kosovës në mesin e 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se viti 2024 ka qenë viti...
-
Kërkohet ndihmë për 16-vjeçarin nga Istogu që vuan nga Leukemia, ka nevojë për shërim jashtë vendit!
Familja Dani nga Kërrnina e Istogut kërkon ndihmë për shërimin e djalit ! ...
-
Incidenti në Novi Sad, mijëra njerëz protestọjnë kundër regjimit të Vuçiqit
Studentët, të cilët prej javësh i kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e...
-
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar...
-
Java nis me reshje bore – Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme b...
-
NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Poloni
Ushtarët ukrainas janë trajnuar nga trupat e NATO-s që kur Rusia sulmoi Ukrai...
-
Mediat ndërkombëtare jehonë lajmit për mbylljen e TikTok në Shqipëri
Lajmi për mbylljen e TikTok në Shqipëri ka gjetur pasqyrim të gjerë në mediat...
-
Ndalohet një autobus në Merdare, në një valixhe kapet nga Dogana një armë me 50 fishekë
Dogana e Kosovës ka njoftuar se në pikën kufitare në Merdare gjatë kontrollit...
-
Kurti: Viti 2024 është viti i pasaportës sonë, ajo renditet më lart se kurdoherë në indekset ndërkombëtare të pasaportave
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar në lidhje me ngritjen e Kosovë...
-
Deri në dy orë pritjet në Jarinje për të hyrë në Kosovë, kolona 500 metra
Foto ilustrim Në pikën kufitare në Jarinje ka deri në 2 orë pritje për të ...