Lajme

Nis shitja e librave shkollorë

Autori: Gazeta inFokus 22:34 | 26 August 2024

Prindërit tashmë ua kanë mësyrë librarive për t`i blerë librat për fëmijët, në prag të fillimit të vitit të ri shkollor. Disa nga ta u ankuan që ende nuk u kanë dalë mjetet në llogari, e disa për mungesë të ndonjë titulli të librit.

Edhe një javë na ndan prej kur edhe zyrtarisht pritet të fillojë procesi i rregullt mësimor nga cikli parauniversitar. Librashitësit thonë së tashmë janë furnizuar me të gjitha tekstet shkollore.

Bejnaze Zeka, qytetare nga Prishtina, ndonëse kishte aplikuar për subvencionimin e teksteve dhe mjeteve mësimore thotë se ende nuk i ka pranuar këto mjete nga Ministria e Arsimit. Ajo thotë se përveç njërit tekst, të tjerët ka arritur t’ia sigurojë djalit të saj i cili fillon në klasën e pestë.

-Advertisement-

“Ende nuk na kanë subvencionuar, kemi aplikuar në rregull është krejt po presim por ne dolëm edhe u morëm pak më herët se me qenë të përgatitur” , tha Bejnaze Zeka, qytetare.

“Po krejt, vetëm gjuhën angleze këtu nuk janë duhet me shiku diku tjetër se krejt komplet janë edhe me çmim si e kanë paparaparë këta të ministrisë, mirë është në rregull është nuk po shoh vërejtje diçka” , shtoi ajo.

Për mungesën e njërit tekst foli edhe një prind tjetër.

“Paratë na kanë dal, librat i kemi marrë të gjitha përveç gjuhës angleze të klasës së gjashtë dhe të klasës së parë që mungojnë” , tha Xhemajl Janova, qytetar.

Ndërkaq, përfaqësues të shtëpive botuese thonë se tashmë janë të furnizuar me të gjitha tekste shkollore, përderisa shtojnë se ditëve në vijim presin shtim të të interesuarve për blerjen e tyre.

“Është dita e katërt që kemi filluar me shitjen e librave shkollor. Jemi të furnizuar me të gjitha librat nga botues të ndryshëm, varësisht si është bërë përzgjedhja e librave nëpër shkolla. Interesim ka pasur, sot jemi ditë e hënë e po besoj se ndoshta në orët e pasdites do të shtohet interesimi më shumë, por edhe në vikend edhe ditën e premte kur e kemi hap ka pas interesim, jo ndoshta interesim shumë të madh por ka tërë kohën prind që vijnë me fëmijët edhe i blejnë librat”, Klarita Demiri Hasimja, përgjegjëse e pikës së shitjes në “Dukagjini Center”.

“Ne jemi të furnizuar mjaftueshëm, po ka lëvizje mjaft mirë por ditëve në vazhdim po presim edhe më mirë. Interesimi i qytetarëve është mjaft i lartë për arsyeje se po iu duhen librat, ndërsa presim mepas interesim edhe më të lartë në vijim” , thotë Emira Bunjaku nga shtëpia botuese “Albas”.

RTK ka kërkuar detaje nga Ministria e Arsimit lidhur me numrin se sa kanë aplikuar deri më tani në platformën eKosova dhe sa janë rimbursuar deri të hënën, por deri më tani nuk kanë kthyer përgjigje. Por, në njoftimin e 20 gushtit të kësaj ministrie, thuhet se në Platformën e-Kosova deri më këtë datë kanë aplikuar gjithsej 151.080 prindër, përderisa janë ekzekutuar mbi 82 mijë pagesa dhe se po vazhdohet edhe me transfere të tjera./RTK

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Keiretsu Forum Southeast Europe dhe BKT Kosova, një bashkëpunim i guximshëm për herë të parë në llojin e tij, në…
-Advertisement-

Të tjera