Nis punimet Samiti i BE-së, në Kosovë kanë pritje për liberalizimin e vizave
Autori: Gazeta inFokus 10:34 | 23 June 2022
Në selinë e Bashkimit Evropian (BE), ka nisur Samiti BE-Ballkani Perëndimor ku 27 krerë shtetesh dhe qeverish evropiane po diskutojnë me kolegët e tyre nga rajoni mbi sfidat, me të cilat përballen së bashku, veçanërisht në dritën e agresionit rus kundër Ukrainës.
Pas samitit BE-Ballkani Perëndimor, krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së do të takohen sërish pasditen e 23 qershorit për të diskutuar për zgjerimin. Krahas vendimit tashmë të sigurt për dhënien e statusit kandidat dy vendeve, Ukrainës dhe Moldavisë, liderët do të merren edhe me situatën në Ballkanin Perëndimor.
Në fokus të garës do të jetë mundësia e dhënies së dritës jeshile për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shkupin dhe Tiranën.
Në fund të samitit, sonte vonë, liderët do të miratojnë konkluzionet në të cilat, për herë të parë pas një kohe të gjatë, do të konfirmojnë “angazhimin e qartë për perspektivat e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE” dhe do të bëjnë thirrje për përshpejtimin e procesi i anëtarësimit.
Kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel, theksoi se në BE ka një atmosferë gatishmërie për të ripërtërirë procesin me Ballkanin Perëndimor.
Michel konfirmoi se prioriteti kryesor i BE-së tani për tani është hapja e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe vazhdimi i kontakteve intensive me Bullgarinë, për të dhënë dritën jeshile për fillimin e procesit.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz tha se samiti BE-Ballkani Perëndimor është një mundësi për të konfirmuar perspektivën e anëtarësimit të rajonit në familjen evropiane.
“Këto vende kanë punuar shumë në këtë drejtim dhe ne do të mundësojmë që kjo (anëtarësimi në BE) të ndodhë”, theksoi kancelari gjerman.
Nga Kosova në këtë takim po merr pjesë presidentja Vjosa Osmani. Ajo ka pasur të mërkurën takim me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.
Para samitit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u tha gazetarëve se Kosova synon që në samit të theksojë që e ka vendin në Bashkimin Evropian.
“Ne e kemi vendin këtu, në mes të familjeve të kombeve evropiane, ku kemi kontribuar me shekuj. Ne kemi nevojë një mesazh të unifikuar të BE-së për Ballkanin Perëndimor, sepse sa më shumë hapësirë të lihet për keqdashësit, natyrisht që do ta përdorin”, tha Osmani.
Pritjet e opinionit kosovar nga samiti kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave, pasi Kosova është i vetmi vend në rajon, qytetarët e së cilës nuk gëzojnë lirinë e lëvizjes.
E pyetur nëse ka shpresa se në këtë samit do të ketë përparime në procesin e liberalizimit të vizave, Osmani tha se shpreson, por nuk dëshiron të nxisë pritje nga njerëzit.
Edhe pse ka pasur paralajmërime se ky samit do të bojkotohet nga liderët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, edhe këto vende kanë konfirmuar se do të marrin pjesë.
Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, foli lidhur me veton bullgare që ende po e pengon avancimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për t’iu bashkuar BE-së.
“Është turp që një vend i NATO-s, Bullgaria, kidnapon dy vende tjera të NATO-s, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në mes të një lufte të nxehtë në Evropë me 26 vende të tjera që rrinë pa lëvizur duke treguar një pafuqi të frikshme”, tha ai.
Rama foli edhe për iniciativën e Ballkanit të Hapur të inicuar nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, duke e quajtur shumë të nevojshme.
“Ballkani i Hapur është përgjigja e vërtetë në këtë situatë derisa rruga e integrimit (për në BE) do të vazhdojë sepse nuk ka alternativë tjetër, por shpirti evropian duhet të ndërtohet në rajonin tonë, sepse nuk duhet ta lëmë rajonin të mbetet prapa. Ballkani i Hapur është i hapur për të gjithë”, tha Rama.
Para gazetarëve, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se pret që t’i nënshtrohet sërish presionit për çështjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe deklaroi se ata që e ngrenë këtë çështje do të “marrin përgjigjen e tij”.
“Ne tashmë kemi votuar kundër agresionit në Ukrainë në OKB dhe mbështesim Ukrainën territoriale, ashtu siç mbështesim integritetin territorial të Serbisë, gjë që nuk është rasti me shumë anëtarë të BE-së”, tha Vuçiq në fillim të samitit. I pyetur se çfarë pret nga samiti i sotëm, Vuçiq është përgjigjur shkurt: “Asgjë”.
Gjithashtu, është paralajmëruar se kryeministri i Shqipërisë, Rama, ai maqedonas, Dimitar Kovaçevski, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të zhvillojnë konferencë të përbashkët për shtyp.
Sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave pritet që ajo të përmendet në diskutime.
Vërehet se ka rritje të mbështetjes që liberalizimi të bëhet sa më shpejt, por nuk ka pasur indikacione konkrete se kjo do të mund të përfshihej edhe në dokumentet e samitit.
Pasi pritet që Ukrainës dhe Moldavisë në samitin e BE-së t’u ndahet statusi i kandidatit, disa liderë kanë bërë thirrje që të mos harrohen vendet e Ballkanit Perëndimorë, të cilat edhe pse janë në faza të ndryshme të integrimit në BE, janë duke ngecur për vite.
Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka bërë thirrje që të mos harrohen Bosnja e Hercegovina dhe Kosova, të vetmet vende nga Evropa juglindore që nuk kanë akoma status kandidati për BE.
“Natyrisht që duam që edhe Kosova të përparojë. Posaçërisht kur është fjala për liberalizimin e vizave. Kosova formalisht nuk ka aplikuar për status kandidati dhe nuk mund t’i jepet tash ky status, ndërkaq mosnjohja nga pesë vendet po ashtu është një rrethanë rënduese”, ka thënë të mërkurën mbrëma në Bruksel Plenkoviq.
Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, ka paralajmëruar se edhe ajo do të marrë pjesë në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit, si dhe në takimin tradicional që ajo ka me Këshillin Evropian.
“U takova me presidenten e Kosovës. Ishte qëndrim i qartë për pozicionin që fuqishëm kemi miratuar nga ky Parlament për liberalizim e vizave që duhet t’i jepet Kosovës. Kemi qenë dhe do të mbetemi të zëshëm në këtë drejtim”, ka thënë ajo.
Nga Samiti i BE-së pritet përsëritja e përkushtimit për avancimin e procesit të përafrimit me BE-në për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Bashkimi Evropian shpreh mbështetjen e plotë dhe të padyshimtë për perspektivën e anëtarësimit në BE për Ballkanin Perëndimor dhe bën ftesë për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit”, thuhet në draftin e përgatitur për miratim në këtë samit.
Nga ky takim do t’i bëhet ftesë Komisionit Evropian, përfaqësuesit të Lartë dhe Këshillit që “të avancojnë më tej integrimin gradual mes Bashkimit Evropian dhe rajonit gjatë procesit të zgjerimit në mënyrën reversibile dhe bazuar në merita”.
Në këtë dokument, një paragraf i veçantë i është kushtuar edhe dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe zgjidhjes së mospajtimeve bilaterale mes vendeve të rajonit.
“Këshilli Evropian rikonfirmon urgjencën për arritjen e progresit të dukshëm në zgjidhjen e çështjeve të hapura bilaterale dhe rajonale, në veçanti në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e raporteve mes Serbisë dhe Kosovës”, thuhet në këtë draft. /REL
Të tjera
-
BE-Qeverisë: Për zbatimin e marrëveshjes për normalizim duhen hapa konkretë, jo veç deklarata
Bashkimi Evropian e ka mirëpritur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për zbat...
-
Festohet njëvjetori i Zyrës së Këshillit Kombëtar Shqiptar në Novi Pazar
Zyra e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Novi Pazar sot feston një vjetorin e ha...
-
Ushtarët e Kosovës dhe të Shqipërisë ushtrojnë bashkë, synim i FSK-së integrimi në NATO
Në kuadër bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës...
-
Konjufca bisedon me delegacionin e Azisë Jugore për njohjen e Kosovës nga vendet mosnjohëse
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, priti në takim delegacionin n...
-
Stano mirëpret deklaratat e qeverisë për zbatim të marrëveshjes, por kërkon veprim
Bashkimi Evropian e ka mirëpritur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për zbat...
-
Sërish dështon votimi i buxhetit në Prishtinë
Për të tretën herë ka dështuar votimi i buxhetit të Komunës së Prishtinës në ...
-
ASK: Deficit tregtar prej 10,4% në muajin tetor 2024, krahasuar me 2023-tën
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat ...
-
Ku mos mu HUTU me BLACK FRIDAY Artmotion
Huti kësaj radhe vjen në ARTMOTION n’pikë të ditës, me super ofertë në Pakon ...
-
Ademi e Foda optimistë pas shortit të ‘play-off’-it për promovim në Ligën B
Në selinë e UEFA-s në Nyon është hedhur sot shorti për play-off të Ligës së K...
-
Si shkak i erërave të forta vazhdojnë problemet me energji
Problemet me energji elektrike kanë vazhduar edhe sot si shkak i erërave të f...
-
Punëtoret teknike në Kuvend refuzojnë takimin me anëtarët e Komisionit për të drejtat e njeriut
Gratë greviste, punëtore teknike në Kuvendin e Kosovës kanë refuzuar të marri...
-
Sa importon dhe eksporton energji elektrike Kosova?
Importi i energjisë elektrike në shtator të vitit 2024 ishte 166.73 GWh, kurs...