Lajme

Nis ndërtimi i shkollës në Doganaj të Kaçanikut, do të kushtojë mbi 1 milion euro

Autori: Gazeta inFokus 12:28 | 19 July 2019

Në fshatin Doganaj të komunës së Kaçanikut sot është bërë vënia e gurëthemelit për ndërtimin e shkollës fillore “Ali Asllani”.

Ndërtimi i kësaj shkolle do të financohet nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe do të kushtojë 1 milion e 150 mijë euro.

Me rastin e fillimit të punimeve për ndërtimin e kësaj shkolle, ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi bëri të ditur vlerën që do të kushtojë ndërtimi i shkollës, derisa tha se me ndërtimin e kësaj shkolle do të krijohen standarde të larta.

-Advertisement-

“Ky nuk është vetëm një premtim të cilin në fakt e kemi dhënë për të pasur një objekt të ri, një ambient krejt ndryshe për nxënësit dhe mësimdhënësit, është edhe një obligim i yni që ne si MASHT jemi zotuar që anë e kënd Kosovës të krijojmë ambiente të cilat kanë nevojë mësimdhënësit dhe nxënësit tanë. Ne si ministri po marrim obligime që këto ambiente t’i shndërrojmë në ambiente moderne, ndërsa obligimi i përbashkët që duhet të jetë dhe na takon të gjithë neve që të angazhohemi që të gjithë së bashku ta ngrisim edhe cilësinë brenda shkollave. Hapi i parë është të kemi objekte moderne, ndërsa hapi i dytë po aq i rëndësishëm është angazhimi i përbashkët që të kemi edhe një mësimdhënie dhe nxënie moderne”, tha ai.

Ai tha se fshati Doganaj nuk do të ketë më problem me ambientin shkollor.

Lajm të mirë ndërtimin e kësaj shkolle për banorët e fshatit Doganaj e ka quajtur kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi. Ai tha se me ndërtimin e kësaj shkolle krijohen kushtet që të kërkojnë ngritje të cilësisë në arsim.

“Sot fal mbështetjes së nivelit qendror, konkretisht ministrisë së Arsimit, po e bëjmë gurthemelin e një shkolle të re, një shkollë ndoshta e nevojshme shumë kohë më parë, por megjithatë duke e ditur mundësitë reale të vet vendit e kemi kuptuar po edhe sot është një ditë gëzimi. Shpresojmë dhe urojmë që kjo shkollë të përfundojë ashtu siç e kemi planifikuar. Kjo është pikërisht një parakusht për ngritjen e cilësisë në vendin tonë, duke e ditur se infrastruktura shkollore po flas në komunën e Kaçanikut është mjaftë e vjetërsuar dhe mundësitë e buxhetit komunal kanë qenë jashtëzakonisht të limituara, andaj çdo ndihmë që vije nga niveli qendror është i mirëseardhur”, u shpreh ai.

Në vënien e gurthemelit të shkollës mori pjesë edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica, i cili tha se përveç ndërtimit të objekteve shkollore duhet të punohet edhe në cilësinë në arsim.

“Ministria e Arsimit, Qeveria e Kosovës, qeveritë e Kosovës që nga 2008 kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në infrastrukturën shkollore por edhe më gjerë. Në kuadër të kësaj është një ndjenjë e veçantë dhe gëzim i veçantë që pikërisht këtu po e fillojmë një shkollë të re. Përveç objekteve ne duhet të punojmë shumë që në këto objekte të vijnë nxënësit e duhur, arsimtarët e duhur dhe ata të cilët do të krijojnë cilësi. Beteja tash e tutje do të jetë për cilësi dhe ajo është shumë e domosdoshme meqë të gjithë jemi të brengosur me gjendjen çfarë e kemi”, tha ai.

Kurse, drejtori i shkollës “Ali Asllani” Nehat Selmanaj, tha se ndërtimi i kësaj shkolle ishte nevojë e kamotshme.

“Ishte një nevojë e domosdoshme, sepse jemi të bindur se do të bëhen përmirësime edhe më të mëdha në proceset edukativo-arsimore më këtë lokalitet, me ofrimin e kushteve më të mira për nxënës, mësimdhënës. Do të rrisim gjithashtu edhe nivelin e mësimdhënies dhe mësim-nxënies”, tha ai.

Ndërtimi i shkollës “Ali Asllani” do të financohet nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita po tërheq klientë seriozë në Panarin IMM, në Këln të Gjermanisë

Të tjera