Lajme

Nis maratona e tretë e Tiranës

Autori: Gazeta inFokus 10:14 | 07 October 2018

Ka nisur në orën 09:00 të së dielës Maratona e Tiranës. Nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës dhe Federatës Shqiptare të Atletikës, më shumë se 2500 vrapues, 350 nga të cilët të huaj që vijnë nga 40 shtete të ndryshme, po sfidojnë veten në 3 kategori të ndryshme, “We too”, “Half Marathon” (21, 0975 km) dhe “Tirana 10K”.

Në fjalën e tij përpara nisjes së maratonës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ndërsa falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në këtë garë si dhe ata që e mundësuan atë, theksoi se ajo është një mundësi për të treguar që Tirana është një qytet që do progresin, sportin dhe jetën e shëndetshme.

“E di që do të ketë shumë kompetitivitet, kanë ardhur disa sportistë profesionistë. Në fund fare, të gjithë e dimë, shpirti i maratonës, si ai ushtari i mirë i Athinës është të mbërrijë në destinacion dhe të themi që betejën e fituam. Suksese të gjithëve, jemi të gjithë fitimtarë në një qytet ku rrëzohemi dhe ngrihemi bashkë dhe jam i bindur që në fund fare të gjithë do përqafohemi si fitimtarë”, tha Veliaj.

-Advertisement-

Ai theksoi se kjo maratonë ka një tjetër të veçantë pasi kurorat për fituesit kanë ardhur nga zona e maratonës në afërsi të Athinës, pikërisht aty ku ka lindur kjo garë.

Maratona është e organizuar në disa kategori, duke i dhënë mundësi gjithkujt që të provojë vetveten në një garë rezistence, por pse jo dhe të fitojë.

Në kategorinë “We too”, marrin pjesë njerëzit më aftësi ndryshe. Kjo garë synon që të ndërgjegjësojë qytetarët që jo vetëm të merren me sport por edhe për të përcjellë mesazhin që pavarësisht aftësive gjithkush ka të drejtë të jetojë dhe të jetë pjesë e shoqërisë.

Gara e vërtetë zhvillohet në 2 kategoritë e tjera Half Marathon (21,0975 km) dhe Tirana 10K, ku përveç të apasionuarëve pas vrapimit dhe sportit marrin pjesë edhe atletë profesionistë.

Pavarësisht motit jo të qëndrueshëm, qindra qytetarë kanë dalë përgjatë segmentit ku dhe kalon itinerari i maratonës, jo vetëm për të shuar kureshtjen për të parë një garë të vërtetë sportive, por edhe për të mbështetur pjesëmarrësit në të. /top-channel

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera