Lajme

Ngritet aktakuzë ndaj të dyshuarve që e kërcënuan gazetarin Vehbi Kajtazin

Autori: Gazeta inFokus 17:14 | 04 May 2022

Katër persona akuzohen nga Prokuroria e Prishtinës për kërcënimin e Vehbi Kajtazit.

B.H., K.R., A.G. dhe A.H. dyshohet se e kanë kërcënuar drejtuesin e mediumit online Paparaci përmes komenteve në rrjetet sociale.

“Të pandehurit B.H., K.R., A.G. dhe A.H., më 14.12.2021, e kanë kanosur seriozisht të dëmtuarin-gazetarin V.K., përmes komenteve të ndryshme në rrjetet sociale, me këtë të pandehurit veç e veç kanë kryer veprën penale ‘Kanosja’, nga neni 181 të KPRK-së”, ka njoftuar Prokuroria.

Kërcënimet ndaj Kajtazit ishin regjistruar në muajin dhjetor të vitit të kaluar.

Gazetari Vehbi Kajtazi, kishte denoncuar mbi 100 kërcënime të adresuara kundër tij asokohe. Ato ndërlidheshin me deklaratat e gazetarit për Grupin “Kumanova”.

Ndaj kërcënimeve kanë reaguar në mbrojtje të tij edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Ambasada Amerikane në Kosovë.

Po ashtu, Prokuroria ka ngritur një aktakuzë tjetër kundër një personi me inicialet L.K., për një sulm fizik ndaj gazetarit F.Ç..

Sulmi dyshohet se kishte ndodhur lidhur me një hulumtim për licencën e kompanisë “Shell”.

“I pandehuri me dashje që t’i shkaktojë lëndime trupore të dëmtuarit e ka sulmuar fizikisht, me çka i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore, andaj aktakuza është proceduar në gjykatën kompetente për trajtim të mëtejmë, në drejtim të veprës penale ‘Lëndimi i lehtë trupor’”, ka thënë Prokuroria.

Të tjera