Lajme

Ngecjet e projekteve kryesore në shëndetësi

Autori: Gazeta inFokus 19:15 | 20 May 2017

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, në emisionin “Jeta në Kosovë” i kishte dhënë disa premtime të cilat do t’i përmbyllte për një periudhë gjashtë mujore. E periudha e premtuar për përmbyllje të këtyre projekteve rezultoi të jetë edhe fundi i mandatit të tij si ministër, pasi partneri i koalicionit, PDK, kishte votuar për rrëzimin e qeverisë Mustafa.

“Në gjashtë muajt e ardhshëm odat do të jenë komplet funksionale, do të fillojë mbledhja e premiumeve, do të fillojë ndërtimi i spitalit të Ferizajt, kardiologjia invazive do të jetë së paku 12 orëshe furnizimin do ta kemi larg më të mirë me barna”, kishte thënë Rrahmani.

Krypometri i ka matur të gjitha premtimet që i ka dhënë ministri Rrahmani për të parë nëse të njëjtat janë përmbushur.

-Advertisement-

Vetëm një muaj pas premtimit për mbledhjen e premiumeve për sigurimet shëndetësore, Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani doli me një deklaratë tjetër se prapë do të shtyhet ky proces. Ai e demantoi veten dhe premtimet e dhëna edhe nga zyrtar të tjerë të qeverisë së Kosovës së mbledhja e premiumeve do të nisë në fillim të vitit 2017.

Sa i përket premtimit për funksionalizim të odave profesionale, kjo ministri ka arritur një realizim të pjesshëm. Në përgjigjen që kanë dhënë Ministria e Shëndetësisë del që Oda e Mjekëve nuk është funksionale.

“Të gjitha Odat e Profesionistëve Shëndetësorë janë funksionale, me përjashtim të Odës së Mjekëve, e cila ka një ecje më të ngadalshme drejt funksionalizimit”, thuhet në përgjigjen e MSH-së. Ministri Rrahmani pati thënë se për këto gjashtë muaj do të filloj ndërtimi i spitalit të Ferizajt, por ky spital nuk ka filluar të ndërtohet as sot gjashtë muaj pas këtij premtimi.

Ministria e Shëndetësisë fillimisht ka bërë shkelje ligjore, të cilat janë konstatuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, të cilët e kishin kthyer procesin në rivlerësim. Pas vendimit të MSH-së për këtë projekt, përsëri janë 7 operatorë ekonomikë që kanë dorëzuar ankesa në Gjykatën e Tenderëve.

E në ministrin e Shëndetësisë thonë se fajtor është OSHP-ja.

“MSh ka kryer përgatitjet që Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt të fillojë të ndërtohet, ka ndarë edhe buxhetin për këtë spital, i ka zhvilluar procedurat e tenderimit si dhe e ka shpallur edhe operatorin fitues për ndërtimin e tij. Por, Ministria nuk mund të ndërhyjë në punën e Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, ku është drejtuar një ankesë nga një operator ekonomik ndaj shpalljes së fituesit dhe po pret që kjo çështje të marrë zgjidhje ligjore për të vazhduar pastaj më tutje, sipas vendimit që do të marr OSHP”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Rrahmani pati premtuar se kardiologjia invazive do të jetë në shërbim 12 orësh e cila rezulton të jetë e vërtetë pasi që ky shërbim ka filluar që nga 1 shkurti i këtij viti dhe punohet nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 19:00.

Në emisionin e muajit nëntor të vitit të kaluar “Jeta në Kosovë” pati raportuar se ka pasur probleme me furnizim me barna madje edhe me materiale shpenzuese, Rrahmani pati premtuar se për gjashtë muaj ky problem do të rregullohet. Por, situata ende nuk është përmirësuar.

“Pas disa vështirësive me furnizim në fillim të vitit, që ndërlidhen edhe me alokimet buxhetore të fillim-vitit, furnizimi aktual me barna dhe material shpenzues është më i mirë se më parë dhe me tendencë të përmirësimit të mëtejmë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ministria e Rrahmanit kujton se kur është thënë se furnizimi do të jetë dukshëm më i mirë është menduar për periudhën kur do të filloj mbledhja e premiumeve për sigurimet shëndetësore.

“Kur është thënë se furnizimi do të jetë dukshëm më i mirë, është saktësuar se kjo do të ndodhë pas fillimit të mbledhjes së premiumeve për sigurimin shëndetësor, sepse është menduar që me mjetet e grumbulluara nga premiumet, si intervenime të para financiare që mund ta dëshmojnë ndryshimin, të jenë edhe ato në furnizimin shumë më të mirë me barna dhe material shpenzues”, thuhet në përgjigjen e MSH-së, e cila tenton ta arsyetojë mosrealizimin e premtimit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Blerando i Big Brother Vip Kosova – fytyra e re e Prince Espresso
-Advertisement-

Të tjera