Lajme

Nga vjedhja e arit në ‘Swiss Diamond’ e deri tek arratisja në Mal të Zi, dosja kriminale e Leutrim Latifit dhe Ibrahim Qadrakut

Autori: Gazeta inFokus 16:27 | 18 November 2021

Policia e Kosovës ka arrestuar sot Leotrim Latifin dhe Ibrahim Qadrakun, si të dyshuar për grabitjen e armatosur të së hënës mbrëma në një argjendari në qendër të Prizrenit. Gjatë kësaj grabitje, të plagosur, si pasojë e të shtënave me armë, kishin mbetur dy persona, babë e bir, pronarë të argjendarisë ku u krye vjedhja me armë. Bashkë me Latifin e Qadrakun është arrestuar dhe një i dyshuar i tretë, indetiteti i të cilit nuk është mësuar ende.

Në një konferencë për media sot, Policia e Kosovës tha se tre personat e prangosur për tentim-grabitjen në argjendarinë në Prizren janë nga rajoni i Prishtinës dhe se kanë të kaluar kriminale.

Sipas Policisë, e kaluara e tyre lidhet me grabitje dhe përdorimin e armëve, për të kaluarën kriminale të dy nga tre të arrestuarve, Leotrim Latifit dhe Ibrahim Qadrakut.

-Advertisement-

“Tre të dyshuarit janë nga rajoni i Prishtinës, të cilët në bazën e të dhënave kanë të kaluar kriminale madje edhe në fushën e grabitjes, përdorimit të armëve. Kanë qenë në burg, janë me precentent kriminale dhe tani po i zbardhim edhe motivet e tyre për këtë rast”, tha drejtori i policisë së Prizrenit në konferencë.

Njëri nga të dyshuarit është arrestuar mbrëmë ndërsa dy të tjerët janë arrestuar sot. Për të njëjtit është parashtruar kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Admir Shala, në konferencë tha se nga nata kur ka ndodhur tentim-grabitja, policia është angazhuar maksimalisht për identifikimin e të dyshuarve.

Historia e grabitjeve të rrezikshme me armë të Leotrim Latifit e Ibrahim Qadrakut

29 vjeçari, Leotrim Latifi konsiderohet një nga personat më të rrezikshëm në Kosovë, i cili një kohë të gjatë ishte në arrati. E kur u kap nga policia, ndonëse recidevist, ai këtë vit u lirua nga paraburgimi.

Ai në vitin 2018 ishte shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, pasi ishte i përfshirë në hiq më pak se 18 raste të grabitjeve me armë.

Në vitin 2019, Latifi ishte arrestuar në Mal të Zi dhe ishte ekstraduar për në Kosovë ku dhe do të duhej të përballej me drejtësinë. Por, kishte ndodhë e kundërta. Pasi ai u lirua nga paraburgimi, e u bë pjesë e një grabitje tjetër të rrezikshme, e që për pasojë pati edhe dy viktima të plagosur.

Për gjatë kohës sa ndodhej në arrati Latifi, disa herë ishte paraqitur drejtpërdrejt në rrjetin social “Facebook” duke u tallur me Policinë e Kosovës, shkruan Reporteri.net.

Cak i grabitjeve të armatosura të Latifit bashkë me një grup bashkëpunëtorësh tjerë, Prokuroria e Shtetit pretendonte se kanë qenë : “Teb Banka”, “Kep Banka”, “NLB Banka”, “Slovenia Petrol”, “Hib Petrol”, “Star Club”, “Star Kazino”, “Cazino Star”, “Albi Mall”, kazino “ACT”, bastore “ACT”, kazino “Eurogame”, kazino “Las Vegas”, “IP Petrol”, kazino “Kojota”, lokali “Apex Club”, “Lloto Sport”, si dhe motel “Flamingo”.

I njohur për grabitje të armatosura është edhe i arrestuari tjetër Ibrahim Qadraku. Ai ka qenë i akuzuar për dy grabitje të rënda në hotelin “Swiss Diamond”, dhe për grabitjen e një në filiali të bankës “TEB” në Prishtinë.

Grabitja në hotelin në qendër të kryeqytetit, në të cilën përveç Qadrakut, ishin të përfshirë edhe nëntë persona të tjerë, sipas aktakuzës kishte ndodhur më 28 maj të vitit 2014 rreth orës 03:50. Kurse në bankën “TEB”, grabitja kishte ndodhur më 1 qershor të po të njëjtit vit.

Grabitësit, sipas aktakuzës, në hotelin “Swiss Diamond” kishin marrë stoli të çmueshme në vlerë prej 199.530.00 euro, ndërsa në bankën “TEB” grabitën 39.930 euro.

Për grabitjen në “TEB” në qershor të vitit 2014, ai ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me gjashtë vjet burgim.

Përveç dënimit me burg, i akuzuari Ibrahim Qadraku së bashku me tre të akuzuar të tjerë, kanë pasur t’i kompensojnë dëmin bankës “TEB” në shumën prej 39.930 eurosh.

Si ndodhi grabitja e së hënës mbrëma në argjendarinë në Prizren?

Pasditen e së hënës, tre persona të maskuar dhe të armatosur kanë hyrë në një argjendari në Prizren, ku kanë tentuar të grabisin stoli ari.

Të dyshuarit kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të pronarit te argjendarisë dhe djalit të tij, të cilët kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave.

Policia në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se të dyshuarit kanë ikur nga vendi i ngjarjes me një veturë.

Ndërsa, në konferencën e mbajtur sot, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Admir Shala, tha se hajnat kanë hasur në rezistencë të pronarëve dhe gjatë arratisjes kanë lënë veturën me të cilën kanë ardhë dhe me forcë kanë arritur të marrin një veturë në qarkullim.

“Kanë hasur në rezistencë nga pronarët e lokalit, gjatë përleshjes mes tyre ka ardhur deri te shkrepja e armës së zjarrit ku si pasojë janë të lënduar edhe pronari i lokalit dhe djali i tij, të cilët gjenden jashtë rrezikut për jetën dhe janë duke u trajtuar në Spitalin e Prizrenit dhe Qendrën Klinike Universitare. Të dyshuarit gjatë arratisjes kanë arritur që ta lëjnë veturën e tyre për arsye të panjohura dhe ta ndalin një veturë, e cila ishte në qarkullim në ato momente, me forcë e detyrojnë shoferin e automjetit që të largohet. Të njëjtin automjet e marrin dhe shkojnë në drejtim të lagjes Jagllenicë, ku shkojnë deri të një pompë e benzinës, marrin benzinë dhe kthehen e kallin veturën me të cilën kishin ardhur në Prizren. Largohen në drejtim të suharekës, ku policia i është vënë në ndjekje, gjatë ballafaqimit me grabitësit ka pasur edhe shkrepje me armë. Por të njëjtit pasi kanë qenë të armatosur me armë të gjata kanë arritur të largohen në drejtim të autostradës më tej”, tha kryeprokurori Shala.

PK-ja ka njoftuar se të plagosurit janë tashmë në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare
-Advertisement-

Të tjera