Lajme

Nga shtatori nis punën Gjykata Komerciale, ekonomistët skeptikë

Autori: Gazeta inFokus 08:41 | 12 August 2022

Me fillimin e punës së Gjykatën Komerciale bizneset do të kenë një adresë të vetme për të gjitha çështjet për të cilat kërkojnë mbrojtje gjyqësore. Lëndët e para pritet të shqyrtohen nga shtatori i këtij viti. Përfaqësues të bizneseve e kanë mirëpritur themelimin e kësaj gjykate, por njohës të ekonomisë shprehen skeptikë për punën e saj.

Të gjitha kontestet lidhur me çështjet ekonomike dhe konfliktet administrative në kontestet biznesore, tashmë janë kompetencë e Gjykatës Komerciale, e cila nga shtatori, pritet të fillojë me shqyrtimin e lëndëve të para. Mbi 9 mijë lëndë janë transferuar në këtë gjykatë, thotë për RTK-në kryetari i Gjykatën Komerciale, Mahir Tutuli. Sipas tij, deri në plotësimin e plotë të numrit të gjyqtarëve dhe stafit mbështetës, nuk do të jenë në kapacitetin e plotë të procedimit të lëndëve.

“Dhomat e Shkallës së Dytë e kanë më të lehtë procedurën, sepse nuk kanë seanca dhe mund të fillojnë menjëherë pas pranimit të lëndëve. Problematika qëndron në Dhomat e Shkallës së Parë, sepse palët duhet të njoftohen lidhur me seancat tetë (8) ditë para. Duke pas parasysh që nuk kemi staf të kompletuar ende, duhet minimalisht diku dy (2) javë apo më shumë të dorëzohen ftesat. Prandaj presim që seancat e para të fillojnë diku në fillim të shtatorit”, tha Tutuli.

-Advertisement-

Përfaqësuesi i bizneseve, Agim Shahini, thotë për Radio Kosovën se fillimi i punës së Gjykatës Komerciale, është një siguri për bizneset dhe investitorët.

“Kjo ofron siguri për investitorë qofshin vendorë apo të huaj, që ata në të ardhmen mund t’i zgjidhin problemet ndërmjet operatorëve ekonomikë në një periudhë më të shkurtër 1-3 vjet, dhe jo si në të kaluarën kur ju kanë marrë kohë më shumë. Kjo ka qenë një kërkesë e kamotshme e AKB-së, dhe e komunitetit të biznesit”, shtoi Shahini.

Por njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, duke folur për Radio Kosovën shprehet skeptik për sa i përket funksionimit të plotë të kësaj gjykate.

“Biznesi në Kosovë meriton elemente të barrierave dhe demokracisë, meriton prurje të vendimeve të shpejta. Në këtë drejtim, uroj të ketë sukses, por gjithmonë e kam një dozë të skepticizmit sepse janë të njëjtit njerëz, është e njëjta traditë dhe fakti që e kemi këtë mungesë të përgjegjësisë qoftë edhe në ndarje, e kam frikë se kjo do të jetë vetëm një mundësi për t’i punësuar dhe avancuar disa të punësuar në gjyqësi, dhe efektet do të jenë ato që na kanë përcjell në të kaluarën”, tha Gërxhaliu.

Sidoqoftë, Gjykata Komerciale është themeluar në fillim të këtij viti, ndërsa pritet t’i trajtojë të gjitha kontestet lidhur me çështjet ekonomike dhe konfliktet administrative në kontestet ekonomike.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera