Opinione

Nga sasia në cilësi

Autori: Agron Hoti 10:02 | 12 March 2023

Kosova për vetëm 10 vite pavarësi (2008-2018) ia kishte dalë që ta kompletonte tërë ndërtimin institucional të saj. Institucioni i fundit që u bë ishte Ushtria e Kosovës në dhjetor 2018 falë mbështetjes së parezervë nga ish-Presidenti Trump. Sigurisht se – sikur çdokund në glob – faza e ndërtimit institucional ka më shumë sasi sesa cilësi.

Por, meqë të gjitha institucionet u themeluan dhe u ndërtuan me mbështetje të fuqishme të SHBA-së dhe BE-së, atëherë institucionet tona vazhdimisht kanë qenë të krahasueshme me rajonin kundrejt kërkesave që dilnin nga rrafshi i integrimit rajonal, evropian dhe global. Thjeshtë nuk kemi qenë as më mirë e as më keq gjithmonë duke pasur parasysh që ishim shteti më i ri në botë.

Faktet janë këto:

-Advertisement-

– Kosova – pavarësisht pengesave nga Serbia e Bosnja e Hercegovina – ka qenë dhe vazhdon të jetë plotësisht e përfshirë në të gjitha proceset rajonale (transport, energji, mjedis, digjitalizim, etj.) sikurse Serbia dhe tërë rajoni;
– ka plotësuar të gjitha kriteret për nënshkrimin dhe hyrjen në fuqi të MSA-së në prill 2016 më shpejtë se çdo shtet në rajon;
– edhe pse ka pasur dyfishin e kritereve për liberalizimin e vizave i ka plotësuar që të gjitha ato për vetëm 6 vite (2012-2018);
– ka qenë dhe vazhdon të jetë përfituese e fondeve të BE-së dhe SHBA-së sikurse çdo shtet në rajon;
– ka marrë kredira ndërkombëtare siç vazhdon të marrë edhe sot, e kredira nuk i japin një shteti nëse nuk ka besim në të;
– është anëtarësuar në Bankë Botërore, Fond Monetar Ndërkombëtar dhe organizata globale sportive më shpejtë se çdo shtet në rajon;
– së fundi ka aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës dhe BE; e ishte pikërisht hyrja në fuqi e MSA-në në prill 2016 ajo që e mundësoi aplikimin për anëtarësim në BE.

Meqë nga 2018 e kemi të përfunduar ndërtimin institucional, Kosova tash e tutje ka nevojë të rritjes së cilësisë institucionale duke i thjeshtësuar procedurat administrative në mënyrë që të përmirësohen shërbimet ndaj qytetarëve dhe obligimeve që dalin kundrejt zhvillimeve rajonale, evropiane e globale. Tash e tutje duhet thjeshtësuar sa më shumë procedurat ligjore në mënyrë që pastaj të digjitalizohen ato në funksion të rritjes së efiçencës dhe efektivitetit institucional.

Imagjinoni sot i nxjerrim çertifikatat e ndryshme online apo dokumente të ndryshme pa pasur fare nevojë të shkojmë personalisht nëpër zyra për t’ua ndëgjuar tarrahamtë zyrtarëve të ndryshëm, shumë prej të cilëve kur ta kryejnë shërbimin të thonë “ta kreva” harrojnë që aty janë për t’i shërbyer qytetarit pa i bërë pengesa e pa i kërkuar favore. E shërbimet online vetëm sa janë duke u shtuar, e-Kosova është shembulli më i mirë.

Shumë shërbime sot i marrim për të mirëqena, harrojmë që s’i kishim fare dje. Merreni me mend, në të kaluarën një qytetar është dashur të vinte personalisht nga Gjermania apo Zvicra për t’i nxjerrë dokumentet e për të aplikuar për pasaportë në Kosovë, kurse sot – pasi u bë shteti i Kosovës që i hapi edhe ambasadat nëpër botë – të gjitha çertifikatat apo shumicën e dokumenteve tjera i merr online përmes platformës -Kosova, shkon nëpër ambasada tona dhe aplikon për pasaportë apo çfarëdo dokumenti tjetër. E ky digjitalizim i shërbimeve sigurisht që të gjithëve ua kursen kohën, xhepin dhe nervat. Shteti nuk pik nga hëna, por është pikërisht ky që t’i ofron dhe përmirëson shërbimet. E përmirësimi i cilësisë së shërbimeve nuk ndalet kurrë. “E mira s’ka kufij” – thotë një fjalë popullore.

Merreni me mend para shpalljes së pavarësisë duhej të prisje me orë të tëra e ditë për ta vërtetuar një kontratë në gjykatë, kurse ka mbi 10 vite që i kemi noterët, të cilët t’i kryejnë këto shërbime pa pasur fare nevojë të presësh, të humbësh kohë apo nerva.

Nuk duhet harruar asnjëherë që ky zhvillim institucional vazhdon të mbështetet nga SHBA e BE sikurse që ndodh edhe me shtetet e tjera të rajonit. Kosova duhet të shkojë në atë drejtim që qytetarët e saj brenda dhe jashtë t’i kryejnë të gjitha punët vetëm me letërnjoftim pa pasur fare nevojë ta nxjerrin ndonjë dokument fizik. E kjo bëhet kur krijohen, lidhen dhe komunikojnë mes vete sistemet e IT-së. Këto sisteme janë duke u bërë edhe pse ndoshta jo me ritmet e duhura. Prandaj, e tëra duhet shikuar si një proces i pandalshëm progresiv i rritjes së vazhdueshme të cilësisë në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimeve publike.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker

Të tjera