Lajme

Nga Komuna e Mitrovicës japin informacione për 4 të infektuarit me variantin Omicron

Autori: Gazeta inFokus 17:29 | 29 December 2021

Më 26 dhjetor të këtij viti, Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se në Kosovë janë detektuar 9 raste të infektuara me variantin Omicron të SARS-COV-2, variant i cili është më i transmetueshëm se variantet tjera, raporton Gazeta Express.

Dy nga rastet e infektuara ishin të importuara nga SHBA-të, dy raste nga Londra, një rast nga Franca dhe katër raste nga komuna e Mitrovicës, të cilët kishin mohuar të kenë pasur histori të udhëtimit apo kontakte me persona nga shtetet tjera.

Për gjendjen e katër të infektuarve nga komuna e Mitrovicës, janë deklaruar nga drejtoria për Shëndetësi në këtë komunë.

-Advertisement-

Nga kjo drejtori kanë thënë se katër personat e infektuar janë duke u trajtuar në shtëpitë e tyre.

Sipas kësaj drejtorie, ata janë në gjendje shëndetësore të mirë dhe nuk kanë asnjë problem serioz.

Sa i përket pyetjeve tuaja ne si Drejtori e Shëndetësisë në bazë të komunikimit zyrtar me Institutin Rajonal të Shëndetësisë Publike në Mitrovicë, Spitalin e Përgjithshëm “Dr.Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë dhe Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Mitrovicë, ju informojmë se nga IKSHP dhe MSH janë konfirmuar 4 raste pozitive me variantin Omicron në Komunën e Mitrovicës. Këto 4 raste janë duke u trajtuar në shtëpi dhe gjendja shëndetësore e tyre është pa probleme serioze”, kanë thënë ata për gazetën.

Ndërsa, sa i përket izolimit të personave që kanë pasur kontakte me të infektuarit, nga drejtoria e Shëndetësisë në Mitrovicë kanë thënë se Institutit Rajonal të Shëndetësisë Publike nuk i është dhënë asnjë informacion në këtë drejtim.

Me identifikimin e këtij varianti në Kosovë, nga Ministria e Shëndetësisë u kanë bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen edhe me dozën përforcuese të vaksinës.

Ndërsa, infektologu Hamdi Ramadani ka thënë për Express se dy dozat e para të vaksinës nuk janë treguar edhe aq efektive ndaj këtij varianti.

Ai ka thënë se qytetarët duhet të vaksinohen edhe me dozën e tretë të vaksinës për t’u mbrojtur nga ai.

“Tani për tani kemi përqindje shumë të vogël të qytetarëve me dozën e tretë, por duhet të bëhet gjithçka që të jetë e mundshme që qytetarët të vrapojnë dhe të marrin edhe dozën e tretë, sidomos grupmoshat e caktuara, ata mbi 65 vjeç, punëtorët shëndetësorë, pacientët me sëmundje kronike. Doza e tretë e vaksinës në nivel botëror është bërë për ta luftuar Omicronin COVID-19”, ka thënë ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera