Lajme

Nga 12 tetori parkingjet bëhen me pagesë, këto janë çmimet dhe zonat

Autori: Gazeta inFokus 20:32 | 23 September 2020

Këto parkingje publike te “Kafet e Vogla”, ngasësit e veturave, mund t`i shfrytëzojnë falas vetëm edhe për pak ditë.

Nga 12 tetori ato do të bëhen me pagesë.

Në fakt, ky lokacion është vetëm njëri nga dy lokacionet e para ku ndërmarrja “Prishtina Parking”, do të aktivizojë një masë të tillë.

-Advertisement-

Kumtin për këtë e dha Liridon Restelica, i cili sapo është zgjedhur kryeshef i kësaj ndërmarrjeje.

“Ne do të fillojmë lansimin e serverit me datën 12 tetor. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve që nga kjo datë të kenë kujdes, ngase do të jetë rruga te “Kafet e Vogla” dhe rruga te “Katedralja” me pagesë – 1 euro ora. Këto pika do të jenë nën kontrollin e kontrollerëve tanë, do të jenë nën menaxhimin e “Prishtina Parking”, të shënjëzuara”, theksoi ai për Front Online.

Projekti i “Prishtina Parking” nuk mbaron me kaq.

“Do ta përfshijë të gjithë Prishtinën. Esenca e saj pse në këto dy lokacione për arsye se ndërmarrjes i duhet staf, do të fillojmë në këto dy lokacione, më në fokus e kemi qendrën për arsye se nëse ne e shkarkojmë qendrën shumë më lehtë e kemi funksionimin në zonën 2 e 3”, pohoi ai.

Në zonën 1 që përfshin qendrën, çmimet,  janë më të shtrenjta së në zonën dy dhe tre.

“Çmimet janë tarifa fikse. Ne vetëm i implementojnë. Janë tarifa nga Kuvendi Komunal. Zona 1 është 10 euro në muaj, për punëtorët 30 euro, për personat juridik 45 euro. Për vizitoret në zonën qendër do të jetë 1 euro ora”,  deklaroi ai.

Të liruar nga pagesat nuk janë as kompanitë biznesore.

Sidoqoftë për të gjitha kategoritë, kryeshefi Restelica thotë se i kanë menduar format e pagesave.

“Mënyra e pagesës në versionet më të fundit të teknologjisë. E kemi tëpërfunduar“Prishtina Parking” me smartphone, parkometrin për bizneset që bëjnë qarkullimin – tregtinë në qytet, e kemi mundësinë e pagesës përmes SMS me shortcode, të cilat janë në pronësinë tonë dhe versioni i fundit me mundësi të blerjes fizike të tiketës nëpër lokacionet që bëjmë marrëveshje për shitje”, theksoi ai.

Për krejt punët që bën në krye të ndërmarrjes, Restelica, thotë se e ka përkrahjen e kryetarit Shpend Ahmeti.

Emërimi i tij në këtë pozitë erdhi pasi ai kreu me sukses për 6 muaj funksionin e tij prej ushtruesi detyre si kryeshef në ndërmarrjen “Prishtina Parking”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!

Të tjera