Opinione

Neve na kërkojnë standarde, Rusisë i mbushin magjen me lekë pa standarde

Autori: Gazeta inFokus 11:25 | 27 December 2021

Në fotografitë e mëposhtme mund të shihni Ish-Kancelarin, Gerhard Schröder, aktualisht shef i Bordit të Rosneftit (korporatës ruse të naftës), ish-Ministren e Jashtme Austriake Karin Kneissl (nga Partia e Ekstremit të Djathtë në Austri) aktualisht anëtare e Bordit të Rosneftit duke vallëzuar me Putinin në dasmën e saj në 2018, si dhe ish-Kryeministri Francez Fillon tanimë anëtar i Bordit të Sibur (korporatës tjetër ruse të naftës).

Në fakt, ka një varg ish-politikanësh kalibri nga vendet e fuqishme të BE-së, të cilët që pas përfundimit të mandateve qeveritare nëpër shtetet prej nga vijnë, janë futur më pas nëpër korporata ruse e kineze që s’ia duan fare të mirën BE-së, aranzhmanet me të cilat i kanë bërë sa kanë qenë në pushtet. Po të vepronin kështu politikanët e Kosovës, BE do të na quante të korruptuar nëpër raporte të saj, kurse për kësi mega-rastesh heshtin.

Derisa BE me Rusi kanë shkëmbime tregtare vjetore mbi € 300 miliardë dhe investime të dyanshme mbi € 450 miliardë, në anën tjetër na flasin për formimin e armatës evropiane pikërisht kundër rrezikut nga Rusia e mbushur me ish-politikanë evropianë, pra një Rusi, e cila:

-Advertisement-

– kërcënon sot me pushtim Ukrainën duke cenuar kështu hapur sigurinë e tërë Evropës;
– financon të gjitha partitë populliste të ekstremit të djathtë anekënd BE-së për ta përçarë sa më shumë atë dhe për ta vështirësuar vendimmarrjen e institucioneve të BE-së (shihni mosliberalizimin e vizave për Kosovën dhe urrejtjen ndaj shqiptarëve që shpërfaqin dhe mbjellin këto forca nëpër shoqëritë evropiane);

– shantazhon hapur tërë BE-në me energji ruse përfshirë vetë Gjermaninë (shihni ç’i bën Gjermanisë së Schröderit me gaz); dhe
– kërcënon Ballkanin Perëndimor me nisje konfliktesh të reja në rrënjë të vjetra (shihni tensionet në Bosnje e Hercegovinë, veriun e Kosovës, Malin e Zi, pastaj tensionet në ngritje në Shqipëri, etj.).

Kurse neve në Kosovë e Ballkan Perëndimor BE na kërkon standarde evropiane, bile Kosovën e mbajnë të superizoluar në emër të atyre standardeve, e në anën tjetër bëjnë yrysh të paparë kah Rusia për të thelluar bashkëpunimin politik dhe ekonomik, shtetit ndër më kriminalët në botë së bashku me Kinën, pa i pyetur fare ato për kurrfarë standardesh.

E duke e parë këtë rrëshqitje të BE-së kah Rusia, Britania e Madhe braktisi më në fund BE-në dhe u rirreshtua në aleancë me SHBA, Australi, Kanada, Japoni, Kore Jugore. Shqiptarët nëse duan shpëtimin e tyre duhet që sa më shpejtë të dalin hapur pro aleancës anglosaksone, përndryshe ekzistenca e shtetit të Kosovës kurrë s’ka qenë më në rrezik.

Vetë kundërshtimi i projekteve energjetike amerikane në Kosovë të jep të kuptosh presionin direkt rus mbi evropianët, të cilin presion më pas evropianët varur nga energjia ruse po e bartin mbi shtetin e Kosovës, ky i fundit pikërisht nga këto kontradikta ka mbetur sot në terr pa e pasur idenë se kah t’ia mbajë në “dimrin e vetmisë së madhe”.

Këto kontradikta ku evropianët kundërshtonin amerikanët kemi parë edhe kur amerikanët po na i ndërtonin autostradat për të hapur dy arterie sigurie të NATO-s për të hyrë sa më shpejtë në Kosovë përmes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në rast të ndonjë invazioni serb dhe rus siç tanimë ka filluar Serbia e Rusia ta provokojnë me destabilizim rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Marsi sjell Magji në ETC

Të tjera