Lajme

Nesër gjykata vendos për ish-komandantin e Policisë për ryshfet me dru

Autori: Gazeta inFokus 21:32 | 28 November 2018

Gjykata Themelore e Gjilanit, nesër pritet të shpallë vendimin ndaj ish-komandantit të Policisë në Novobërdë, Shukri Aliu, i cili po akuzohet se ka kryer veprat penale, marrje ryshfeti dhe moslajmërim të veprës penale dhe kryerësve të saj.

Në pikën një të aktakuzës së Prokurorisë, përfaqësuar nga prokurori Arben Kadriu thuhet se Shukri Aliu akuzohet për veprën penale të marrjes së ryshfetit për shkak se si komandant i Policisë në Novobërdë, më datë 2 shtator 2017 në mënyrë të drejtpërdrejtë kishte pranuar dhuratë-drutë me sasi prej 5 metër kub.

Kjo pasi kishte zbuluar vjedhjen e pyllit në pronësi të Naser Mehmetit nga Gjilani, ashtu që Ivan Dikiq kishte kërkuar një traktor me dru nga Naser Mehmeti për të pandehurin Shukri Aliu, me arsyetimin se i njëjti e kishte zbuluar vjedhjen e malit.

-Advertisement-

Sipas aktakuzës, Naser Mehmeti përmes Ivan Markoviqit dhe Dikiqit, ia kishte dërguar të pandehurit sasinë e druve të lartcekura dhe përmes telefonit Mehmeti e kishte njoftuar Shukri Aliun duke i thënë “përshëndetje shoq, punën ta kryta, drutë ia dhash Ivanit me t’i pru” dhe i pandehuri Aliu e kishte falënderuar.

Ndërsa në pikën dy të aktakuzës, Shukri Aliu akuzohet edhe për veprën penale ‘moslajmërimi i veprave penale’ sepse gjatë periudhës kohore 22-23 korrik 2017 përmes telefonit kishte komunikuar me Ivan Dikiq dhe nga i njëjti kishte mësuar se pa leje valide është duke poseduar armë zjarri dhe se të njëjtën do ta përdorë në një dasmë.

Po ashtu akuzohet se kishte dijeni që Ivan Dikiq është duke mbajtur në bashkësi jashtëmartesore personin nën moshën 16 vjeç, dhe si rrjedhojë nuk ndërmori veprime zyrtare por i ka dhënë udhëzime duke i thënë “që të bëjë kujdes deri në muajin gusht, pasi e njëjta i mbush 16 vjeç”, dhe si person zyrtar në cilësinë e komandantit të Stacionit Policor në Novobërdë ka mësuar për këto veprime dhe nuk ka lajmëruar.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:

Të tjera