Lajme

Nesër dhe pasnesër priten reshje të shiut, do ta largojnë pluhurin saharian

Autori: Gazeta inFokus 17:26 | 18 May 2020

Cilësia e ajrit në vendin tonë momentalisht është e mirë. Kështu ka vlerësuar profesori i Shkencave të Mjedisit, Sami Makolli pas raportimeve se edhe këtë vit pluhuri saharian ka zbritur në vendin tonë. Pluhuri mund të ndikojë në cilësinë e ajrit, e problem mund të shfaqë për personat e ndjeshëm.

Ky pluhur do të mbetet mbi rajon edhe ditëve të ardhshme, megjithëse jo me këto përqendrime të larta sepse në dy ditët e ardhshme priten të reshura të shiut.

“Tani ajri është i pranueshëm dhe nuk është i rrezikshëm për qytetarët e vendit, me përjashtim të një numri të vogël të qytetarëve të cilët janë të ndjeshëm, e të cilat kanë probleme alergjinë, probleme me frymëmarrje dhe kjo mund t’i shkaktojë një irritim kanaleve të frymëmarrjes dhe skuqje të syve. Këto nuk janë grimca toksike të ndezjes sidomos gjatë kohës së dimrit apo të tilla që janë toksike dhe që japin efekte afatgjate në shëndetin e njeriut. Kjo jep vetëm efekte të shkurtra si skuqje të syve”, shtoi Makolli.

Sipas tij vala e fundit e të nxehtit afrikan solli me vete grimcat e pluhurit afrikan prej shkretëtirës së Saharës të cilat e shkaktojnë nivelin e ndotjes.

“Kjo vala e fundit e të nxehtit që erdhi, ne e njohim si i nxehti afrikan, ku me vete solli erërat dhe grimcat e pluhurit dhe rërës të cilat krjiohen nga shkretëtirat. Sahara është njëra prej tre shkretëtirave më të mëdha në botë e cila zë sipërfaqe pothuajse sa tërë Evropa. Sipas statistikave 60 deri në 100 milion ton pluhur dhe grimca të tilla ngriten në ajër. Karakteristikat e klimës mundësojnë që këto grimca të ngriten deri në lartësinë 6000 metër dhe pastaj eksportohen nëpër botë varësisht prej drejtimit të erërave në të cilat fryn. Varet se nga vjen kjo erë e cila sjellë me vete pluhurin dhe grimcat 2.5pm të cilat shkaktojnë në nivelin e ndotjes. Tani po i referohemi matësit të Ambasadës Amerikane që do të thotë deri në 50 metër kub ne e konsiderojmë që cilësia e ajrit është e mirë”, tha Makolli për EO.

Sipas tij, kjo do të kalojë posa të fillojnë shirat që pritet të ndodhin në dy ditët e ardhshme.

“Kjo do të kalojë posa të fillojnë të largohen shirat, e që pritet të ndodhin në dy ditët e ardhshme dhe do ta ndjejmë atë freskinë e ajrit. Shiu bie dhe e tretë me vete këtë sasi të pluhurit dhe rërës dhe depoziton në tokë, dhe kur uji avullon pastaj mbesin njollat e kuqe. Se a do të rikthehet varet prej drejtimit se nga do fryjnë erërat dhe kushtet meteorologjike që veprojnë edhe në Saharë. Te ne ndodhë më rrallë dhe nuk mendoj se do të përsëritet prapë” shtoi ai.

Makolli ka theksuar se këto grimca nuk kanë ndonjë efekt serioz në shëndetin e njeriut. Ai ka thënë se ky pluhur nuk mund të evitohet por, personat e ndjeshëm duhet të vendosin maska.

“Nuk ka ndonjë efekt serioz në shëndetin e njeriut sepse koncentrimi i grimcave në ajër nuk e tejkalon nivelin e lartë të ndotjes, ndërsa për bimët është e mirë sepse kjo grimcë ka edhe nutrien të çmueshëm. Në mbrëmje dielli jep një pamje spektakolare, në të kuqe dhe perëndimi i diellit është shumë i bukur sa ishte ky nivel i ndotjes. Pluhuri vjen prej Saharës dhe ka mundësi të depërtojë me mijëra kilometra në të gjithë botën. Nuk mund të evitohet pluhuri por për personat që janë të ndjeshëm duhet të vendosin maska” shtoi Makolli.

Të tjera