Lajme

Nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diele, LDK-ja do të ishte e para

Autori: Gazeta inFokus 15:35 | 13 September 2018

Sipas një sondazhi të KDI-së, nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diele, fituese do të ishte Lidhja Demokratike e Kosovës, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës dhe nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në një prezantim të fundit, kjo organizatë ka thënë se në rast të zgjedhjeve LDK-ja do të merrte 23.8 për qind, e ndjekur nga PDK-ja me 18.4 për qind, VV-ja me 17.6 për qind dhe AAK-ja me 8.8 për qind. 4.1 për qind të të anketuarve kanë deklaruar se do ta votonin Listën Serbe.

NISMA Socialdemokrate, Partia Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Alternativa, del se sipas deklarimit të qytetarëve në këtë hulumtim, nuk do të arrinin që të kalojnë pragun zgjedhor prej 5%.

-Advertisement-

15.6% e të anketuarve kanë refuzuar të deklarojnë se për cilin subjekt do të votonin.

U anketuan 1200 qytetarë në periudhën mes 25 gushtit dhe 5 shtatorit 2018.

Në fund, të anketuarit që kanë deklaruar se për cilin subjekt politik do të votonin në zgjedhjet e ardhshme, janë pyetur edhe lidhur me koalicionet e mundshme mes atij subjekti dhe subjekteve tjera.

Trendet e përgjithshme të këtyre rezultateve tregojnë se shumica e elektoratit në Kosovë preferon që subjektet e tyre të garojnë të vetme në zgjedhje.

Të ndarë sipas secilit subjekt politik, këto janë preferencat e votuesve lidhur me koalicionet, të paraqitura në përqindje kumulative:

• Votuesit e LDK-së do ta preferonin më së shumti një koalicion me VV-në (27%), kurse janë më së shumti kundër një koalicioni me PSD-në (60%);

• Votuesit e PDK-së do ta preferonin më së shumti një koalicion me PSD-në (25%), kurse janë më së shumti kundër një koalicioni me VV-në (86%);

• Votuesit e VV-së do ta preferonin më së shumti një koalicion me LDK-në (33%), kurse janë më së shumti kundër një koalicioni me PDK-në (61%);

• Votuesit e PSD-së do ta preferonin më së shumti një koalicion me AAK-në (13%), kurse janë më së shumti kundër një koalicioni me VV-në (65%);

• Votuesit e AAK-së do ta preferonin më së shumti një koalicion me Nismën (28%), kurse janë më së shumti kundër një koalicioni me LDK-në (66%);

• Votuesit e Nismës Socialdemokrate do ta preferonin më së shumti një koalicion me PDK-në (16%), kurse janë më së shumti kundër një koalicioni me VV-në (70%);

Subjektet si AKR dhe Alternativa, që kanë përqindje më të vogël të votuesve, janë subjekte të preferuara për të qenë në koalicion, për shumicën e votuesve të partive tjera. Mirëpo për shkak të përqindjes së ulët të votuesve që janë deklaruar se do të votonin për to nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diele, këto subjekte nuk janë përfshirë në këtë tabelë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik
-Advertisement-

Të tjera