Lajme

“Nëse veç ke vendos me shku, në rregull”, përplasja në publik mes deputetëve të LVV’së, e përfshirë edhe Ministrja Nagavci

Autori: Gazeta inFokus 16:07 | 23 September 2022

Një përplasje verbale mes dy deputetëve të LVV-së, Eman Rrahmani dhe Ardian Golës, ka ndodhur në sy të kamerave dhe të pranishmëve tjerë në sallën e komisionit parlamentar për Arsim.

Si rrjedhojë e diskutimit të ashpër me bashkëpartiakun e tij, Eman Rrahmani e ka lëshuar mbledhjen e komisionit, në të cilën po diskutohej se si të dilet nga greva në Arsim, e ku të pranishëm ishin edhe Ministrja Arberie Nagavci dhe përfaqësuesit e BSPK’së dhe SBASHK’ut.

Paraprakisht, deputeti Rrahmani kërkoi fjalë në komision, përkundër se nuk është anëtar i tij, derisa Gola si drejtues i komisionit i kërkoi miratimin e mysafirëve për t’ia mundësuar deputetit të VV’së që të flasë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

-Advertisement-

E aty ndërhyn Ministrja Nagavci, e cila kërkon që të mos i jepet fjala deputetit të VV’së, Eman Rrahmani, me arsyetimin se janë marrë vesh që vetëm anëtarët e komisionit të kenë të drejtë fjale.

“Jemi marrë vesh që të flasin vetëm anëtarët e komisionit, andaj ta respektojmë atë”, thotë Nagavci.

Pastaj vjen reagimi dhe kritika e ashpër e Rrahmanit ndaj kryesuesit të komisionit që nuk ia jep fjalën deputetit të VV-së.

“Jam deputet dhe kam të drejtën e fjalës. Qëllimi im është me kontribu për të ardhur te një zgjidhje konkrete. Ju lus që si kryetar i komisionit nuk duhet të bëni marrëveshje me asnjë grup që e cenon punën time si deputet dhe cilitdo deputeti tjetër”, e kritikoi Rrahmani Golën dhe pastaj lëshoi mbledhjen i revoltuar.

Ndërkohë, Gola provonte ta pengonte kritikën e Rrahmanit, duke e penguar fjalimin e tij. E pasi Rrahmani niset të dalë nga salla, Gola thotë se donte t’ia jepte fjalën.

“Nese veç ke vendos me shku, në rregull”, i thotë Gola bashkëpartiakut që del i revoltuar nga salla e komisionit.

Ndryshe, deputeti Rrahmani së fundi ka kritikuar Qeverinë Kurti për çështjen e grevës në arsim.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare

Të tjera