Nëse Thaçi shpallet i pafajshëm, a lirohet menjëherë?
Autori: Gazeta inFokus
12:07 | 21 August 2026
Gjykata Speciale do ta shpallë më 16 shtator në Hagë aktgjykimin në rastin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Para kësaj gjykate, e cila zyrtarisht quhet Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, për tri vjet është zhvilluar procesi gjyqësor lidhur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, që pretendohet se janë kryer gjatë dhe menjëherë pas luftës në Kosovë. Prokuroria kërkoi dënim me nga 45 vjet burg për secilin prej katër të akuzuarve.
Rezultati i këtij procesi mbetet ende i panjohur. Ndërkohë, ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, para së njëjtës gjykatë po zhvillohet paralelisht edhe një proces tjetër, nën akuza për pengim të drejtësisë.
Kjo ngre pyetjen, nëse Thaçi do të shpallej i pafajshëm në rastin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, a do të lirohej menjëherë nga paraburgimi?
Në bazë të Rregullores së Procedurës dhe Provave të Gjykatës Speciale, “kur një i akuzuar i paraburgosur shpallet i pafajshëm, ai lirohet menjëherë, përveçse kur mbahet në paraburgim në mënyrë të ligjshme, ose vuan një dënim për vepra penale të ndryshme nga ato në lidhje me të cilat është shpallur i pafajshëm”.
“Në rastin e zotit Thaçi, paraburgimi është urdhëruar nga Trupi Gjykues në procesin ndaj tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, si dhe nga gjyqtari i vetëm në procesin e veçantë ndaj tij për pengim të drejtësisë. Prandaj, nëse zoti Thaçi shpallet i pafajshëm në procesin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, çështja nëse ai do të vazhdojë të mbahet në paraburgim do të vendoset nga gjyqtari i vetëm që po shqyrton rastin për pengim të drejtësisë”, thuhet në një përgjigje të zëdhënësit të Dhomave të Specializuara, Michael Doyle, për Radion Evropa e Lirë.
Gjykatësi i vetëm duhet të rishikojë çdo dy muaj nëse paraburgimi vazhdon të jetë i arsyeshëm dhe i justifikuar.
“Ai mund ta shqyrtojë këtë çështje edhe me kërkesë të të akuzuarit, nëse ka pasur ndryshim të rrethanave”, shtoi Doyle.
Vendimin e fundit, të dhjetin me radhë për vazhdimin e paraburgimit, gjykatësi i vetëm e ka lëshuar më 31 korrik, duke vlerësuar se ende ekziston rreziku që Thaçi të pengojë procedurat ose të kryejë vepra të tjera penale.
Në të njëjtin vendim, gjykatësi caktoi edhe afatet për rishikimin e radhës të paraburgimit: Thaçi mund të paraqesë parashtresat e tij deri më 7 shtator. Nëse ai nuk e bën këtë, Prokuroria duhet të paraqesë qëndrimin e saj deri më 14 shtator, ndërsa Thaçi mund të përgjigjet deri më 21 shtator.
Cilat janë dy rastet ndaj Thaçit?
Thaçi ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, kur u arrestua nën akuza për krime lufte. Që atëherë, mbrojtjes së Thaçit i janë refuzuar të gjitha parashtresat për lirim nga paraburgimi. Madje, është refuzuar edhe një dorëzani prej 50 mijë eurosh, së bashku me disa kushte që Thaçi u zotua t’u përmbahej, në këmbim të lirimit nga paraburgimi.
Ish-presidenti Thaçi, së bashku me ish-kryeparlamentarët Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-deputetin Rexhep Selimi, janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Sipas aktakuzës, Thaçi dhe të tjerët akuzohen se ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” që synonte kontrollin përmes frikësimit dhe dhunës ndaj kundërshtarëve. Viktimat përfshinin serbë, romë dhe shqiptarë që nuk mbështesnin UÇK-në; së paku 102 persona dyshohet se u vranë dhe mbi 20 mbeten të zhdukur. Prokuroria i konsideron ata përgjegjës edhe për krimet e vartësve të tyre.
Thaçi, i cili më herët ka qenë edhe kryeministër i Kosovës, i ka cilësuar ato si “krejtësisht të pavërteta, absurde dhe thellësisht fyese”.
Në mbështetje të mbrojtjes kanë dëshmuar disa prej figurave më të njohura të diplomacisë dhe sigurisë perëndimore të kohës së luftës, përfshirë ish-zëdhënësin e Departamentit amerikan të Shtetit, James Rubin, dhe ish-komandantin e NATO-s për Evropën, Wesley Clark.
Ata kanë deklaruar se UÇK-ja nuk funksiononte si një strukturë e centralizuar dhe se të akuzuarit kishin më pak ndikim dhe kontroll sesa pretendohet në aktakuzë.
Gjykimi ndaj tyre për këtë rast përfundoi në shkurt të këtij viti dhe që të katërt gjenden në paraburgim prej gati gjashtë vjetësh.
Teksa po mbahej ky proces gjyqësor, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë më 2024 ngriti akuza për pengim të drejtësisë ndaj Thaçit dhe katër personave të tjerë: ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi; ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj; ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj; dhe Fadil Fazliut.
Ata akuzohen se, mes prillit dhe nëntorit 2023, kishin ndikuar te dëshmitë e dëshmitarëve të thirrur nga prokurorët për çështjen gjyqësore për krime lufte kundër vetë Thaçit dhe tre ish-krerëve të UÇK-së.
Thaçi ngarkohet me tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Përveç Thaçit, të gjithë të akuzuarit e tjerë në rastin për pengim të drejtësisë po mbrohen në liri.
Ky rast po shkon drejt fundit, pasi deklaratat përmbyllëse janë caktuar që të mbahen më 10, 11 dhe 14 shtator.
Gjykata Speciale u themelua më 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është gjykatë brenda sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar në Holandë.
Ajo heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së ka hasur në kundërshtime në Kosovë, meqë është parë si gjykim i njëanshëm, pasi nuk përfshihen krimet e kryera nga serbët në territorin e Kosovës.
Me thirrjet për drejtësi, në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe qytete të tjera janë mbajtur edhe protesta kundër procesit ndaj ish-eprorëve të UÇK-së.
Gjykata veçse ka shpallur disa aktgjykime dënuese, si për krime lufte ashtu edhe për raste të pengimit të drejtësisë./REL/

T� tjera
-
Futen në Gjykatën Speciale familjarët, pas pak vendimi për Thaçin dhe të tjerët!
Ish-Presidenti Hashim Thaçi pret sot një aktgjykim tjetër në Hagë, këtë herë ...
-
Artan Behrami: Asgjë dhe askush nuk mund ta shlyejë Hashim Thaçin nga historia e Kosovës!
Artan Behrami ka reaguar lidhur me Gjykatën Speciale, duke kritikuar vendimet...
-
Raportohet për dhun*imin e një gruaje në Graçanicë
Një rast i dhu*nimit është raportuar të ketë ndodhur të dielën në Graçanicë....
-
Ndalohen tre shtetas të Serbisë në Kamenicë, dyshohet se hynë ilegalisht në Kosovë
Policia e Kosovës ka ndaluar tre shtetas të Serbisë, dy femra dhe një mashkul...
-
“Sonte ora ka ndryshuar, ka filluar një shekull i ri”, Rikthehet mesazhi i Hashim Thaçit i vitit 2007 në prag të aktgjykimit në Hagë
Në mëngjesin kur Hashim Thaçi pret aktgjykimin në çështjen e dytë ndaj tij në...
-
Zhduket një grua në Fushë-Kosovë, policia nis hetimet
Një grua është raportuar e zhdukur në Fushë-Kosovë, pasi ka dalë nga shtëpia ...
-
Arrestohen dy të dyshuarit për grabitjen e armatosur në Gjakovë
Dy persona të dyshuar për grabitjen e armatosur që ndodhi të martën në mesdit...
-
17 Nëntori që i dha emër UÇK-së, 32 vjet nga vendimi historik
Më 17 nëntor 1994, para 32 vitesh, Kryesia e Lëvizjes Popullore të Kosovës, p...
-
Kryesia e Kuvendit shqyrton sot agjendën e seancës së radhës
Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet sot në orën 15:00. Sipas njof...
-
Katër komisione parlamentare mblidhen sot
Katër komisione parlamentare do të zhvillojnë mbledhje gjatë ditës së sotme n...
-
Mediat gjermane japin detaje për aksidentin tragjik ku vdiqën dy të rinj nga Rahoveci
Një aksident i rëndë trafiku ka tronditur mërgatën shqiptare dhe Komunën e Ra...
-
Graboci dhe Lismiri lidhen me Prishtinën përmes një linje të re të autobusëve
Banorët e fshatrave Graboc dhe Lismir të Komunës së Fushë-Kosovës tashmë kanë...
































